Aktualitet

I ra skela mbi kokë, e plagosura bashkëshortja e futbollistit Bledi Shkëmbit. Ish-futbollisti: Do i padis

Shkëmbi tha se së bashku me avokatët, po merret me përgatitjen e dokumenteve për ta paditur firmën e ndërtimit, Arlis.

D.XH
I ra skela mbi kokë, e plagosura bashkëshortja e futbollistit Bledi
Bledi Shkembi dhe bashkeshortja, Imelda

TIRANË – Rrëzimi i një skele nga një pallat në ndërtim i firmës Arlis ka plagosur dy kalimtarë. Mes të plagosurve është edhe bashkëshortja e ish-futbollistit të njohur, Bledi Shkëmbit, Imelda.

Shkëmbi, ish-kapiteni i ekipit të Skënderbeut, në një intervistë për TCH ka deklaruar se së bashku me avokatin, po merren me përgatitjen e dokumenteve, për të ngirtur padi ndaj firmës së ndërtimit.

Ai tha se deri në mesditë, përfaqësuesit e firmës Arlis nuk kanë kontaktuar askënd, për të mësuar për gjendjen shëndetësore të dy të plagosurve. Për incidentin e ndodhur në kryeqytet, janë arrestuar për veprën penale të shkeljes së rregullores në punë punëtori Elton Osmanllari, sipërmarrësi Erjon Kanto dhe inxhinieri i kompanisë Arlis, Zef Kalaj. Grupi i hetimit në terren ka arritur në përfundimin se të prangosurit nuk kanë zbatuar rregullat për të ruajtur as punëtorët dhe as kalimtarët.

Pas arrestimit të tre personave që punonin në kantierin e ndërtimit, vendi është boshatisur dhe puna është ndërprerë në kompleksin Arlis. Nga ana tjetër, dy të plagosurit ndodhen akoma në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore. Nuk është hera e parë që ndodhin incidente të ngjashme në Tiranë apo në rrethe të tjera.

Gjatë vitit 2023, janë evidentuar 102 raste të incidenteve, nga të cilat janë identifikuar 115 autorë, të akuzuar për shkelje të rregullave dhe të mbrojtjes në punë. Nga këta individë, 35 janë vënë në pranga. Sektorët më problematikë të incidenteve në punë, ku nuk mungojnë edhe rastet e humbjes së jetës janë ndërtimi, miniera dhe fasoneritë.

Si është gjendja e qytetarëve që u goditën nga skela?

Të dy pacientët, të cilët janë goditur nga skela, në një pallat në ndërtim të firmës Arlis në Tiranë, fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Mjekët kanë thënë se 70-vjeçari ka pasur dëmtime të rënda në qafë dhe priten që t’i bëhen ekzaminime të tjera. Atij pritet që t’i bëhet rezonancë magnetike, për të parë nëse duhet që t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ndërsa, 45-vjeçarja e dëmtuar po trajtohet me shërbimin maxilo facial, pasi ka pasur dëmtime në fytyrë. Të dyja palët kanë deklaruar se kanë pajtuar avokat, që çështjen ta ndjekin me rrugë ligjore.

Hysen Lavdari, 70 vjeç ndodhet i shtruar në katin e dytë të Spitalit të Traumës në kryeqytet, në pritje të ekzaminimeve të mëtejshme. Mjekët thanë se pacienti ka mbërritur në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, pasi ka dëmtime të rruazave të qafës dhe ka plagë në kokë. Aktualisht ai është në një gjendje më stabile dhe mjekët shprehen se po e mbajnë nën monitorim. Të afërmit e 70-vjeçarit thanë se pritet që ta vitizojnë të moshuarin dy fëmijët e tij, djali dhe vajza, që jetojnë jashtë vendit, ndërsa kanë pajtuar avokat. Ndërsa, për pacienten Imelda Shkëmbi, mjekët kanë deklaruar se është në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo ka mbëritur tek Trauma me plagë në fytyrë, me dëmtime tek pjesa e hundës. Ajo ka qenë koshiente dhe ka treguar gjithçka që ka ndodhur./ZËRI/

Poll

MOS HUMB