TIRANË- Shqipëria pritet të përballet me reshje intensive shiu gjatë fundjavës, ndërsa disa qytete janë në rrezik për përmbytje të përkohshme. Situata pritet të jetë më problematike të dielën më 11 tetor kur reshjet më të shumta parashikohen në zonat perëndimore dhe jugore të vendit.
Sipas parashikimeve meteorologjike deri në mesditën e së dielës sasia e reshjeve në këto zona mund të arrijë nga 70 deri në 100 milimetra shi. Kjo sasi e lartë reshjesh mund të krijojë probleme me grumbullimin e ujit në rrugë dhe në zonat me sistem kullimi të kufizuar.
Qytetet ku parashikohet rrezik për përmbytje të përkohshme janë Vlora, Gjirokastra, Përmeti, Lezha, Durrësi, Fushë-Kruja dhe Laçi. Reshjet pritet të shoqërohen me përkeqësim të kushteve atmosferike, duke vështirësuar edhe qarkullimin në disa akse rrugore.
Ndryshimi i motit do të vijojë edhe gjatë javës së ardhshme, kur temperaturat pritet të pësojnë rënie të ndjeshme. Pas ditëve me reshje intensive, vendi do të përfshihet nga masa ajrore më të ftohta duke sjellë kushte më tipike për stinën e vjeshtës së vonë./ZËRI