
TIRANË- Kjo është Rolanda. Me flokë të zinj e të kapur, vëthë rrumbullakë dhe buzë me kontur të theksuar, ajo prej vitesh reklamon veten në rrjetet sociale si një fallxhore me fuqi të mbinatyrshme. E sigurtë se është e bekuar me aftësi ekstra, Rolanda përmes video-calleve josh kryesisht vajza e gra, të cilat trokasin në derën e saj kur çdo derë iu duket e bllokuar.
Përse këto gra bien pre e fallxhoreve?
Psikologia Jonida Haxhiu tregon se ky realitet është prezent kryesisht në zonat rurale dhe tek personat me nivel të ulët arsimor.
Psikologia Jonida Haxhiu: Unë do të doja t’i konsideroja viktima këta persona. Për fat të keq, gjejmë në zonat rurale, pafund persona të cilët u drejtohen këtyre individëve, më së shumti persona që kanë gjendje ekonomike jo të mirë.
Por nuk bëjnë përjashtim as ata me një pozitë të caktuar sociale.
Psikologia Jonida Haxhiu: Janë persona që kanë një background arsimor, që kanë një pozitë sociale, që kanë një pozitë profesionale.
Dhjetëra denoncuesë të ZËRI-t raportojnë për një zhvatje që Rolanda ka mundur t’ju bëjë vetëm përmes telefonit duke iu premtuar shërbimet e saj, përfshirë magjinë e zezë dhe “këndimin” për heqjen e magjisë aktuale.
Ema: Kam shkuar në disa vende, shkova për mbarësi, siç e kemi ne, edhe pasi erdha këtej më filluan problemet. Pasi kam kontaktuar përsëri me një nga zonjat që kam folur, më kanë thënë që, jo më kanë bërë magji, jo kshu, dhe kam paguar lekë por nuk kam gjetur zgjidhje. Duke qenë se unë jam djegur e dashur, dua të sigurohem që personi që do t’i jap lekët, sepse nuk kam paguar pak, kam paguar rreth tre-katër mijë euro në total.