
TIRANË- A do të ishte jeta njësoj e bukur nëse do të dinim atë që na pret? A do të na rrihte zemra njësoj në përjetimin e emocioneve të para nëse ato do ti ndjenim më parë? A do të ishim kaq humanë nëse tregimin që kemi në dorë ta shkruajmë vetë, do ta shkruanin të tjerë përpara nesh?
Kjo është Rolanda. Me flokë të zinj e të kapur, vëthë rrumbullakë dhe buzë me kontur të theksuar, ajo prej vitesh reklamon veten në rrjetet sociale si një fallxhore me fuqi të mbinatyrshme. E sigurtë se është e bekuar me aftësi ekstra, Rolanda përmes video-calleve josh kryesisht vajza e gra, të cilat trokasin në derën e saj kur çdo derë iu duket e bllokuar.
Përse këto gra bien pre e fallxhoreve?
Psikologia Jonida Haxhiu tregon se ky realitet është prezent kryesisht në zonat rurale dhe tek personat me nivel të ulët arsimor.
Psikologia Jonida Haxhiu: Unë do të doja t’i konsideroja viktima këta persona. Për fat të keq, gjejmë në zonat rurale, pafund persona të cilët u drejtohen këtyre individëve, më së shumti persona që kanë gjendje ekonomike jo të mirë.
Por nuk bëjnë përjashtim as ata me një pozitë të caktuar sociale.
Psikologia Jonida Haxhiu: Janë persona që kanë një background arsimor, që kanë një pozitë sociale, që kanë një pozitë profesionale.
Dhjetëra denoncuesë të ZËRI-t raportojnë për një zhvatje që Rolanda ka mundur t’ju bëjë vetëm përmes telefonit duke iu premtuar shërbimet e saj, përfshirë magjinë e zezë dhe “këndimin” për heqjen e magjisë aktuale.
Ema: Kam shkuar në disa vende, shkova për mbarësi, siç e kemi ne, edhe pasi erdha këtej më filluan problemet. Pasi kam kontaktuar përsëri me një nga zonjat që kam folur, më kanë thënë që, jo më kanë bërë magji, jo kshu, dhe kam paguar lekë por nuk kam gjetur zgjidhje. Duke qenë se unë jam djegur e dashur, dua të sigurohem që personi që do t’i jap lekët, sepse nuk Kam paguar pak, kam paguar rreth tre-katër mijë euro në total.
Për ta provuar, bashkëpunëtorja e ZËRI-t, Ema, vendosi të lidhë kontaktin me Rolandën. Atë e gjetëm aty ku pritej, në faqen e saj në rrjetin social Tik Tok. Pasi del nga puna, ajo telefonon magjistaren për të mësuar për fatin e saj.
Ema ndërkohë ka ndërtuar një profil.
Ajo është një vajzë e re që është larguar nga i dashuri pasi ky i fundit përfundoi në burg dhe për efekt dokumentash u martua me një të huaj. Tashmë Ema kërkon rikthim, por ende pa e treguar historinë e saj, fallxhorja nga ana tjetër ia pret me të madhe: Është një femër kurvë, një femër e keqe!
Biseda mes bashkëpunëtores së ZËRI-t dhe Landës:
Ema: Halli im është në lidhje me të dashurin
Rolanda Zeneli: Jeni bashkë?
Ema: Jemi, deri diku mund të them
Rolanda Zeneli: Ok, ja të shikoj. Pjesa jote me pjesën e të dashurit në këto momente. Një femër tjetër kërkon t’ju ndajë zemra ime. Nuk e di kush qenka kjo femra tjetër që luan një rol. Më dëgjo…
Ema: Ua si e gjete…
Rolanda Zeneli: Mu rrëqeth mishi sepse unë jam parashikuese që unë e kam dhunti. Kjo letër mua s’më gënjen. Dhe në moment që unë të them është kjo e më thua jo, të them mbyll kamerën, shko merr pagesën se s’je për mua. Unë e shoh që flet ajo femër dhe e ngacmon. Është një femër kurvë, një femër e keqe. Një femër që nuk i takon atij personi.
Ema: Halli është që ajo ka hyrë…
Rolanda Zeneli: Ndihet e lumtur, thotë që do t’i shkatërroj, do t’i bëj. Kë bërë llafe, debate me atë person, je bërë si puna e gjarprit.
Siç duket histori të tilla janë rutinë për veshët e saj, vajza të dëshpëruara në kërkim të rikthimit të dashurisë së humbur.
Psikologia Jonida Haxhiu: Janë të shumta rastet në të cilat personat futen në probleme financiare, shpenzojnë pafund, pikërisht për tu qëndruar kërkesave të këtyre parashikuesve, të këtyre ndikuesve të fatit.
Kaq iu desh fallxhores dhe vijimin e historisë e sajon vetë me informacione sipërfaqësore, duke përmendur distancën e të dhëna që konfirmohen nga Ema.
Biseda mes bashkëpunëtores së ZËRI-t dhe Rolandës:
Ema: Më ka hyrë në mes dhe i thonë vite lidhje. Tani gjëja që është e imja, është e imja dhe dua ta kthej.
Rolanda Zeneli: Dëgjo, kjo femër kërkon që ta ndajë atë person. Ajo femër, diku ka vajtur të të bëjë diçka ty.
Ema: Dëgjo, unë nuk kam qenë rehat gjithë këto kohë. Edhe kam menduar se më ka bërë diçka.
Rolanda Zeneli: Erdhe në rrugën e Zotit tek mua, nuk erdhe kot, nuk e di si më gjete. Ajo ka dashuri për këtë, kërkon të ketë një familje, por ne nuk do ta lëmë. Ti po deshe që të mos e lësh, nuk e lejon, se unë punoj me një Kur’an. Ti thua 100 burra të kem, unë këtë dua.
Ema: Dhe këtë dua, e dua prapë.
Në këtë moment, Rolanda kërkon para dhe i premton se përmes pagesës do të arrijë të zgjidhë hallin e Emës dhe se do të arrijë ta bashkojë me ish-in e saj.
Bisedat për paratë që do t’i dërgohen:
Ema: Ideja është që nesër të bëj pagesën. Të të nis atë 3-mishen?
Por nuk mjaftohet me kaq. Rolanda tregon se përveç tarifës së saj të kripur, shumë kliente i kanë bërë edhe dhuarata, duke kërkuar edhe bonuse tërthorazi, në këmbim të pluhurit magjik që çmend burrat.
Ema: Do të të bëj edhe një dhuratë, siç ta ka bërë ajo. Por, nuk do të di me kë të ta nis…
Rolanda Zeneli: Niset çdo gjë me autobus, ç’a e vret mendjen ti me…Ua kjo. Mos ma thuaj se më ngelet mendja mua, i kam qejf unë këto çingurrigat.
Ema: Jo pa merak, dhuratën do të ta bëj unë. Unë dua të mbaroj punë sa më shpejt, ti ma the, mua s’më durohet, prandaj të mora direkt. Më shkrive me atë, ku i kishte futur ajo florinjtë?
Rolanda Zeneli: Do të të fut më tha mua 100 euro në pjastër dhe këto florinjtë që mos të paguaj e shkreta dyfishin se nuk kishte. Ama shiko, e bëri mundimin ajo se kam qenë dhe unë e drejtë, e kupton, nuk e kam lënë në baltë. Ai pluhuri, po e takon, po ka ndonjë palë tuta sportive, ia fut edhe në xhepa atje ku fle gjumë në burg, edhe çmendet, është i fortë.
Megjithatë, vajzat e reja nuk janë të vetmet pre që mbushi nxhepat e këtyre zonjave anëmbanë botës që tashmë kanë gjetur një mënyrë të re, dërgimin e parave përmes rrjeteve të Western Union, RIA apo Moneygram dhe AKInvest.
Bisedat për paratë që do t’i dërgohen:
Rolanda Zeneli: Dëgjo, do të të jap një emër, të më vësh atje të paktën 1000 euro. Do të të jap dhe emër mbiemër timin për 1500 dhe jemi në rregull. Western dhe Money Gram. Kaq. Në Aleksandër Zeneli do më hedhësh në Western Union. Kurse në Rolanda Zeneli, do më hedhësh në Money Gram.
Kush kërkon ndihmë përmes ‘magjisë’? Klientet kryesore të Rolandave janë gratë që kërkojnë mbajtjen afër të bashkëshortëve, të cilët i kanë tradhëtuar, por kanë vendosur t’i falin dhe tashmë janë në hapin më të vështirë. Atë të të ribërit për vete të babait të fëmijëve dhe për këtë gjë, shkojnë vërbërisht në këto faqe të mbushura me letra tarot, qirinj, foto, plumçe e rite nga më djallëzoret, ku janë të gatshme të paguajnë shifra deri në 20 mijë euro.
Biseda mes bashkëpunëtores së ZËRI-t dhe Anjës:
Ema: Shikoj shumë gjëra, me bashkëshortin që është i ftohtë ndaj meje, edhe unë kam si gjendje ankthi, jam shumë faktorë që mua më bëjnë të kuptoj që nuk jam më personi i njëjtë.
Viktima duhet të ketë një problem. Shkakun e problemit mund ta gjejë vetëm ky “OZ” modern me smartphone dhe në kamerë.
Rolanda Zeneli: Ajo zoçka, piçi piçi, po do ja bëjmë ne miçi miçi asaj thuaj.
Pasi e gjen diagnozën, magjistari i kërkon para viktimës për ta shpëtuar, në të kundërt e kërcënon se do të ketë pasoja.
Biseda mes bashkëpunëtores së ZËRI-t dhe Landës:
Rolanda Zeneli: Mund të të vijë një telefonatë, do bisedosh, do debatosh. Ky mendon për ty, mendon krevatin tënd shpirt, shikoje pak…
Ema: Po, e shoh.
Rolanda Zeneli: Është mërzitur dhe ai për çështjen tënde. Atij i kanë bërë diçka zemra ime që jeni larguar. Ju keni ikur me një magji. Ke qarë, kur ke qarë? Ke derdhur lot kur je mërzitur, por ka qarë dhe ai. Shiko tani, ti më këtë person do ishe në martesë sot, do ishte në lidhje shumë të mirë akoma. Kjo persone diçka ju ka bërë.
Në momentin që Ema i tregon për rastin e një kushërirës së saj që është vetëm 16 vjeç, gruaja nga Greqia shprehet e gatshme që t’i vijë në ndihmë përmes trukeve të saj.
Ema: Më ra ajo kushërira, të të dërgoj dhe 50 euroshin e asaj se do një parashikim. Bashkë me këto do të të dërgoj dhe atë 50-shen e asaj gocës, ajo është e vogël, është 16 vjeç dhe s’ka si e bën pagesën vetë. Ka ndonjë problem që ajo goca është 16 vjeçe, ajo kushërira ime apo jo.
Rolanda Zeneli: Ç’është e vërteta, unë do ta shikoj por jo me Kur’An se nuk më lejon, vetëm me letra. Ok?
Për fat të keq tregu i fallxhoreve, magjistarëve apo një sërë emrash që ato i vendosin vetes, nuk është i rregulluar në tregun shqiptar, duke e lejuar secilin të punojë dhe të zhvasë këdo që nuk është inteligjent për të kuptuar se truket janë vetëm prodhim i bisedave imagjinare mes tyre dhe gjuetarëve të Tik Tok.
Kryerja e parashikimeve astrologjike dhe shitja e shërbimeve që lidhen me astrologjinë realizohet në Shqipëri dhe kudo në botë pasi të interesuarit zhvillojnë kurse dhe pajisen me një licensë si astrologe. Por kryerja e ritualeve të njohura rëndom si “Magjia e Zezë” është një veprimtari joformale e cila në Shqipëri nuk përfshihet në asnjë ligj.
Por, nene të caktuara të Kodit Penal ndëshkojnë të gjithë ata që në kryerjen e punës së tyre kryejnë vepër penale siç është zhvatja dhe mashtrimi.
Por a mund të mbrojë NIPT-i i këtyre fallxhoreve qytetarët që bien pre e mashtrimit dhe më pas denoncojnë për paratë e zhdukura pa rezultat?
Shumë pak. Por së paku, i ndihmon ndjekësit e astrologjisë që të dallojnë kufirin midis astrologjisë, fallit dhe magjisë.
Në një tjetër bisedë me Emën, Rolanda tregon sesi e ka mjeshtëruar artin e zhvatjes së parave për ribashkimin e çifteve duke kërkuar 3 mijë euro, para që do ti dërgoheshin gradualisht në Ria, në mënyrë që të mos pikaset nga shteti evropian ku jeton.
Rolanda Zeneli: Mund të më hedhësh 1 mijë e 500 tek Money Gram. Jo bashkë, të thashë njëherë. Më q*** nënën, më fute brenda.
Ema: Hap një certifikatë tamam
Rolanda Zeneli: Nuk e hap dot moj shpirt se më dënojnë, më thonë nga vjen ky lek, më futin brenda moj. Ç’a po thua ti? Në Greqi? Kuptoji gjërat që jam kaq e fortë, kam shumë punë të them, a më kuptove? Most ë pyesin se çfarë e ke këtë njeri, thuaj e kam njeriun tim, ia dërgoj për një dhuratë se është fukara, eh…
Sa është limiti që mund të dërgosh përmes Western Union nga Shqipëria?
Deri në 3 mijë euro mund të dërgosh pa pasur nevojë pa asnjë dokuent shtesë. Në momentin që kalon këtë shifër, institucionet nisin verifikimet dhe këto nuk janë vetëm politikat e Western Union, por edhe të shteteve të ndryshme.
Nga momentin që fallxhorja nuk rezulton e punësuar apo e vetëpunësuar në shtetit grek, shifra të mëdha parash që mund të tërheqë mund ta vendosin nën hetim dhe mund t’i hapë telashe me krimin ekonomik.
Gjë që ajo nuk mund t’ia lejojë vetes, pasi nuk do të kishte më fitime.
Megjithatë ajo nuk është e vetmja.
Një tjetër fallxhore, Anja pranon se është rezidente në tre shtete, Zvicër, Kosovë e Shqipëri dhe se ka korrier për grumbullimin e parave.
Anja: Faktikisht, unë punoj në Zvicër, kam një qendër spirituale. Jam në Zvicër, Tiranë, Prishtinë, në tre vende të botës.
Ema: Unë paratë do të t’i dërgoj në Zvicër?
Anja: Kushton 100 euro. Kam korrierë për atë pjesë pune. Të jap adresën, bëj pagesën, ma sill pagesën këtu në Instagram, unë vetëm sa e konfirmoj, nuk e tërheq. Të shikoj gjërat që ke ti. Zemër zgjidhjen unë ta jap, ta kesh të fjetur mendjen.
Por, Anja e humb toruan në momentin që pyetet nëse ka një licensë veprimtarie apo NIPT.
Anja: Ç’të duhet ty përshembull pjesa e NIPT-it, ke NIPT apo jo.
Ema: Po të hysh tek QKB-ja, del kur e shkruan ‘astrologe Anja’ dhe ngaqe unë kërkoj sepse ti e di që janë bërë shumë veta dhe nuk dua të digjem ose thjesht të vete tek njeriu i gabuar.
Anja: Mua, ta kesh në mendje ti dhe kushdo tjetër, mua nuk më tall dot njeri, e dashur.
Ema: Kam parë që shumica shkruajnë të licensuar dhe prandaj të pyeta.
Anja: Më fal, po nuk hyn në punë licensa tek pjesa ime. Flasim për licensën, ka njerëz që janë profesorë dhe nuk kanë licensën për tatimet e shtetit, sepse shteti të merr shumë lekë. Tashi unë të ta bëj 300 euro ty shikimin? Se do mi marrë shteti gjysmat mua. Ka njerëz që kanë vetëm një certifikatë dhe janë të aftë, ka dhe njerëz që marrin 100 certifikata dhe nuk janë të aftë fare, i kanë blerë, i kanë me mashtrime, kanë paguar ndonjë lekë të vogël dhe i kanë marrë ose i kanë fotokopjuar. QKR që kërkove ti, njerëzit më tepër po e heqin sepse shteti ka shumë tatim dhe atij nuk i leverdis që të bëjë një operacion tek një klient ose të bëjë një vizitë tek klienti sepse vizita është 300 mijë lekë. Kurse kështu, kur s’ka tatim shteti, e bën 35-40. Çfarë do t’i marrë njeriut mi zemër, atë frymë që ka ngel.
Kjo grua madje pranon se QKR është diçka e kotë dhe se për të mjafton që të ketë një llogari në Google dhe të përditësojë profilet e saj në rrjetet sociale.
Anja: Nuk kërkohet QKR-ja se kjo është gjë e kotë. Unë jam regjistruar dhe në Google dhe kudo dhe i kam të gjitha performancat. Jo, moj po ti nuk e gjen dot, është tek pjesa e sigurimeve, tek Bashkia, kështu që ku të shkosh ti, do zbërthesh kompjjuterash, s’e kuptoj? Po bën ca pyetje koti, të pavlera, sikur po bën hetim mbi mua, hetime koti. Mos më lodh…
Por, pavarësisht mungesës së profesionalizmit dhe shkeljeve të ligjit, ajo pranon se ushtron edhe hipnozën tek klientët e saj. Edhe pse pa asnjë specializim mjekësor, kjo zonjë tregon se aplikon hipnozën, për të shëruar njerëzit me fuqitë e saj.
Anja: Tani, unë hipnozën me licensë, unë mund ta bëj 500 euro, kurse pa licensë, unë e bëj 150 euro. Kursen miliona lekë, muaj për muaj. Unë jam drejt e në Google, nëqoftëse personi skanohet në Google, është i performuar komplet si person. Unë në Google paguaj 500 euro, 500 tek faqja ëeb, vit për vit. Kështu që unë licensën edhe e bëj, edhe s’e bëj, nuk e kam problem për t’ja dhënë shtetit. Dhe unë atëherë, do ua marr njerëzve. Çfarë do bëj…
Anja, duke e paraqitur paligjshmërinë si në të mirën e klienteve të saj, vijon të këmbëngulë në efektivitetin e çdo rituali të saj, të bazuar në diploma të marra nga universitete që në fakt nuk ekizstojnë.
Anja: Zemër zgjidhjen unë ta jap, ta kesh të fjetur mendjen. Unë kam pjesën time të diplomimit… Parashikimi vjen sipas problematikave të personit, mjafton të bindesh te fjala që unë të tregoj, çfarë do kesh në vazhdimësi.
Fallxhoret në Shqipëri gjenden kudo, por kryesisht në zona ku mund të aksesojnë vajza të reja, të shtresës së mesme të shoqërisë apo ato vulnerabël që në këmbim të tarifave prej 500-1000 lekë të reja, mund të heqin dorë për një moment nga ngarkesa e problemeve të përditshme dhe t’i dhurojnë vetes një dozë gënjeshtrash.
Psikologia Jonida Haxhiu: Në shumë raste ky konsiderohet si një kujdes për veten, si një mënyrë për të zgjidhur problemin, si një mënyrë për të dalë nga situata në të cilën ndodhen dhe duke qenë kështu, ata futen edhe në borxhe apo në vështirësi financiare, si e si të arrijnë të shkojnë tek persona të tillë, si e si të arrijnë të ndjekin këshillat apo të ndjekin gjithçka, atë planin që u ka përcaktuar ky personi, ky parashikuesi apo ky ndikuesi i fatit.
Kryesisht pranë fakulteteve të ndryshme në Tiranë, ka gra të ndryshme që ndalojnë vajza të reja, të cilave pretendojnë se u shohin fatin.
Por jo gjithmonë, situata është rozë dhe pasoja e vetme është një dozë gënjeshtrash të bardha, ku gruaja në rrugë të ‘sheh’ një të ardhshme të shndritshme, që në fakt përshkruhet nga psikologë si simptomë e problemeve psikologjike që janë të pranishme, por që vështirë se pranohen...
Psikologia Jonida Haxhiu: Një individ që ka problem në marrëdhënie, një individ që nuk ka besim në vetvete, nuk ka forcën për të bërë me jetën e vet atë që mendon që është e nevojshme, atëherë gjen këtë forcë, nuk e gjen tek psikologu që në njëfarë mënyre do punojë me vetë individin, por e gjen tek fallxhori. Fallxhori nuk punon me individin, por punon me rrethanat, pretendon që do të ndryshojë rrethanat, pretendon që do të ndryshojë energjitë, pretendon që do të ndryshojë të ardhmen dhe që nga ky moment, e lë personin të përjashtuar. Personi që ka problemin nuk është aspak i përfshirë, është thjesht duke pritur që këto rrethanat që ka ndryshuar fallxhori, këto rrethanat në të cilat ka ndikuar fallxhorja të ndryshojnë dhe ai të arrijë lumturinë, të arrijë qetësinë apo marrëdhënien që dëshiron. Që është e pamundur, kështu që në fund të fundit, tregon praninë e problemeve psikologjike.
Ka raste të pafundme që janë ndjekur nga autoritetet që kanë përfunduar me vjedhjen e miliona lekëve apo dhe me ngacmime seksuale.
Arta Selimi jeton në Durrës dhe premton se të bën me fëmijë. Shumë çifte të dëshpëruar nga fakti që nuk janë bërë dot prindër janë drejtuar tek ajo për të marrë ‘bekimin’ dhe dy karamele e më pas janë përcjellë me fjalët: Zoti do t'ua bëjë mbarë!
Ajo këshillon burrin që karamelet t’i hajë në të njëjtën kohë, në një orë fikse, por më parë duhet të mendojë një dëshirë, e cila do t'i realizohet.
Deri më tani nuk ka ndonjë studim shkencor që të tregojë se karamelet mund të të bëjnë më pjellorë.
“Na i jep paratë që ke në shtëpi që t’i këndojmë dhe do shohësh që do të të shtohen”. Ky ka qenë mashtrimi që tri fallxhore, banore të komunitetit rom, i kanë bërë një të moshuare në fshatin Lundër të Tiranës, duke i vjedhur paratë e pensionit të saj e të të shoqit dhe pak kursime që kishin në shtëpi.
Ngjarja ka ndodhur vite më parë, në vitin 2013, por nuk është e vetmja. Të treja gratë me truket e tyre arritën tu merrnin të moshuarve 3 milionë lekë të vjetra, vjedhje që u kuptua vetëm pas largimit të tyre nga banesa dhe pasi koka e të moshuarve ishte kthjelluar nga fjalët e bukura e mrekullitë e premtuara prej këtyre mashtrueseve.
Të tjerë fallxhorë ndihmojnë edhe bosët e krimit.
Dushi nga Tirana bën që aktiviteti i trafikut të drogës të mos hasë në probleme me autoritetet. Ai rekomandon çdo të përfshirë në këtë aktivitet që të hajë dy kokrra sheqer dhe me dy të tjera të spërkatë mallin.
Ilmiu mbron ‘skifterët’ nga autoritetet në Itali dhe bën që ata të vazhdojnë punën të qetë.
Monda nga Roskoveci, ndihmon në prodhimin e hashashit në Skrapar.
Psikologia Jonida Haxhiu: Në shumë raste kemi familjarë të cilët drejtohen në vende të tilla, u drejtohen individëve të tillë me shpresën se do të bëjnë diçka ndryshe në jetën e tyre, me shpresën se do të zgjidhin një situatë problematike në jetën e tyre, një vështirësi financiare, një problem në familje, një familjar që po kalon një situatë të vështirë familjare, një familjar që kalon një situatë të vështirë sociale, mund të jetë në burg, mund të ketë probleme me ligjin, mund të jetë në probleme me bashkëshortin, me bashkëshorten dhe në jo pak raste, janë familjarët ata që shkojnë, që çojnë objekte të këtyre përsonave, tek ky personi që ndikon, në mënyrë që t’ia hapin fatin, t’i heqin të keqen, t’i largojnë të këqijat, t’i largojnë energjinë negative.
Nora në Gramsh mbahet për suksesin që të sjell në karrierë.
Ndërsa Fatmir Lloçi është një person që është vetëquajtur hoxhë e shërues, i cili ushtron aktivitetin në banesën e tij në Tiranë. Ai është denoncuar shumë herë se nën petkun e atij që bën mirë në emër të “Zotit”, ngacmon seksualisht mjaft gra e vajza.
Për të një njëjtë gjë, është denoncuar dhe një “shërues” në fshatin Bilaj Fushë-Krujë afër Bubqit. Nikollë Doda thotë se sheh në gjëra të shenjta dhe zgjidh hallet e njerëzve. Doda i fton gratë e reja për të kryer marrëdhënie seksuale, si mënyra më e mirë për t’u shëruar nga shqetësimet. Doda tregon se shumë gra shkojnë tek ai dhe ka ndihmuar shumë njerëz, por më parë ai u kërkon atyre raporte seksuale. E ndoshta kur gjenden përballë situatave të tilla, mjaft ekstreme, ata që kërkonin medoemos një zgjidhje, reflektojnë.
Psikologia Jonida Haxhiu: Jeta është e mbushur me ulje, me ngritje, me momente pozitive, me momente negative. Dhe në fund, në fakt ndryshimet nuk erdhë nga personi që po këto ritualet, ndryshimet erdhën sepse do ndodhte ndryshimi. Por, të kuptuarit dhe të ndërgjegjësuarit, varet nga shumë faktorë, sa personi është i zhytur në problem sepse sa më i zhytur të jetë personi në problem, aq të vështirë e ka dhe të ndërgjegjësohet që gjërat ndodhin sepse ndodhin dhe nuk ndodhin sepse dikush ndikoi nëpërmjet ritualeve.
Të gjitha këto na tregojnë se në asnjë moment fallxhori nuk mund të ofrojë një zgjidhje, në asnjë moment, askush nuk mund të ofrojë ndryshojë të ardhmen apo rrethana të caktuara.
Psikologia Jonida Haxhiu: Çelësi dhe kyçi kryesor për t’i zgjidhur këto probleme, është vetja e tyre, është angazhimi ose nëse situata është e tillë që angazhimi nuk funksionon, atëherë të kuptuarit që kjo gjë ka përfunduar dhe të pranuarit e përfundimit të një situate. Është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë që duhet të përshtatemi me situatën që jeta na sjell, që realiteti na sjell.
Në fund të gjithçkaje gratë përfundojnë të zhgënjyera sepse në fund rezulton që marrëdhënia nuk rikthehet, partneri nuk rikthehet dhe ato kanë humbur një investim shpirtëror dhe gjithë kjo energji e humbur, sjell në fund një ezaurim, një lodhje.
Psikologia Jonida Haxhiu: Lumturia nuk varet nga një person, nga një marrëdhënie, nga një bashkëshort, nga një partner. Lumturia është brenda secilit prej nesh, në çdo gjë që në bëjmë. Sa më vonë ta kuptojë personi këtë, aq më të vështirë do ta ketë edhe përballjen edhe kthimin në realitet. Në fund të fundit edhe me përballjen me veten, fajësimin ndoshta dhe të vetes apo të rrethanave që ka bërë të besojnë një person të tillë./ZËRI