
TIRANË- Safet Bajri është vënë në pranga. Më 22 shkurt, Bajri u shoqërua fillimisht në Policinë e Shkodrës për tu marrë në pyetje, por më pas, me argumentin se do t’i merrej edhe njëherë një kampion AND-je, ai u nis drejt Tiranës ku dhe u ekzekutua masa “arrest me burg” që ishte lëshuar nga Gjykata e Posaçme më 17 shkurt 2025.
I rrethuar nga forcat RENEA, Safet Bajri zbriti i buzëqeshur nga automjeti i Policisë së Shtetit, në Drejtorinë e Policisë në Tiranë. Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bëri me dije se Bajri akuzohet për vrasjen e Fatbardh Licit. Masë arresti për të njëjtën ngjarje është lëshuar edhe ndaj Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit, të cilët ndodhen të dy në qeli.
Ata akuzohen për tre vepra penale: "vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në njoftim, SPAK bën me dije edhe motivin e vrasjes së Licit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, fisi Bajri fajësonte Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana dhe të partneres së tij Silvi Ndoci, të cilët u vranë në makinën e tyre në prani të fëmijës 2 vjeç, që u gjet duke qarë dhe i mbuluar me gjakun e të ëmës.
Për të marrë hak, Bajrat, sipas SPAK, ekzekutuan Fatbardh Licin, vëllanë e Mustafa Licit, babait të Ibrahim dhe Hamza Licit. Ai u vra me breshëri plumbash në 10 gusht 2018, teksa ndodhej në kafe në në lagjen “Kiras” në Shkodër.
Fatbardh Lici ishte kunat i Lulëzim Kullës, i cili i shpëtoi atentatit me tritol më 13 Janar 2018, ngjarje që nisi luftën në Shkodër në verën e të njëjtit vit që u mbyll me pesë të vrarë, dy të zhdukur dhe një atentat me tritol.
Safet Bajri ka qenë i arrestuar dhe ka qenë në burg 15 muaj për vrasjen e Fatbardh Licit. Në atë kohë çështja është pushuar për të për mungesë provash, duke qenë se dëshmitë e të afërmve të Licit nuk ndihmuan për të mbështetur dyshimet e hetuesve, se sulmi po vinte nga Bajrat.
Por siç duket, SPAK ka në dorë të tjera prova.
Tashmë Safet Bajri është lënë në burg në seancën e mbajtur më 24 shkurt, në të cilën është shprehur se është shumë i hapur për çdo hetim nga ana e autoriteteve dhe madje i ka sfiduar ato kur ka thënë se nëse do të kishte dashur të arratisej, nuk do ta prangosnin dot asnjëherë.
Kjo nuk është hera e parë që Safet Bajri përballet me drejtësinë.
Safet Bajri i njohur ndryshe edhe si Safet Rustemi është cilësuar si një nga krerët e fizit Bajri që prej dy dekadash është dyshuar për për krime të ndryshme.
Në vitin 2018, pas një interviste në të cilën rrëfeu jetën e tij si një peshkatar dhe hodhi poshtë çdo akuzë të mundshme të ngritur nga drejtësia belge që e kishte akuzuar për plagosje, trafik të lëndëve narkotike dhe prostitucion, Safet Bajri u vu në pranga në kuadër të operacionit “OAZ”, si kreu i një organizate kriminale që bashkë me kushërinjtë e tij Ilir dhe Behar Bajri, vendosnin gjoba kundrejt tregtarëve dhe kryeninin aktivitete të tjera ilegale që nga armëmbajtja pa leje deri tek trafiku i lëndëve narkotike.
Por akuzat ranë dhe në vitin 2023 Safet Bajri fitoi lirinë. Përgjatë kësaj kohe, ai qëndroi jashtë vëmendjes mediatike, deri më 23 gusht të vitit 2024, kur u sulmua me armë automjeti i blinduar “Audi A8” në Rranxë të Bushatit, brenda të cilit ndodheshin dy të rinjtë Sauel Troshani dhe Izmir Sakica.
Të dy dyshohen se kishin shkuar të vrisnin Aleksandër Prendin, por përfunduan duke u qëlluar me breshëri plumbash nga ky i fundit. Ngjarja që pasoi më vonë ishte masakra e Dobraçit në të cilën u vra Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha.
Dyshimet sërish ranë mbi fisin Bajri, por vetë Safeti doli në një tjetër intervistë. Këtë radhë në “Top Story”, ai mohoi çdo akuzë në lidhje me ngjarjet e njëpasnjëshme, por pas 24 orëve përfundoi sërish në pranga./ZËRI/