Aktualitet

"SCANTON"/ Skandali që po minon besueshmërinë e Shkollës së Magjistraturës

Skandali i testimit, si më i fundit dhe i dëshmuar nga vetë ata që kanë ëndërr të jenë pjesë e procesit, rrezikon të minojë të gjithë sistemin e ngritur këto vite. 

k.m.
"SCANTON"/ Skandali që po minon besueshmërinë e
Shkolla e Magjistraturës

TIRANË- Me nisjen e tij, procesi i Vettingut shkaktoi një kaos në sistemin e drejtësisë në vend. Dhjetra prokurorë dhe gjyqtarë u shkarkuan nga detyra për arsye nga më të ndryshimet, por kryesisht për pasurinë pashpjegueshme që kishin vendosur mënjanë edhe pse kishin një pagë modeste. Kështu, ndryshe nga sa kishte ndodhur deri në atë kohë, për të plotësuar nevojat, Shkolla e Magjistraturës shtoi kuotën e pranimit për të "prodhuar" magjistratë të rinj. Por jo pa shkaktuar reagime! Skandali i testimit, si më i fundit dhe i dëshmuar nga vetë ata që kanë ëndërr të jenë pjesë e procesit, rrezikon të minojë të gjithë sistemin e ngritur këto vite. 

NEPOTIZMI 

Gazetari i kronikës Flamur Vezaj, i cili jeton prej kohësh tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qershor të vitit 2021 denoncoi se trupa e re e drejtësisë që po hynte në Shkollën e Magjistraturës ishte e lidhur me të shkarkuarit e Vettingut. Vezaj ka sjellë në vëmendje emrat e gjyqtarëve Agim Bendo, Gramoz Levanaj dhe Altun Çela, fëmijët e të cilëve siç ishin në shpalljen zyrtare të fituesëve në faqen të Shkollës së Magjistraturës, janë brezi i ri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që hyjnë në sistem. Por edhe pse mund të ketë ndonjë 'kazus morale' që i ndalon të ngjisin shkallët e karrierës, edhe sot në 2024 ende nuk ka një ligj. Bijtë e atyre që janë shkarkuar nga Vettingu, mund të garojnë dhe të futen në shkollë duke plotësuar kushtin e vetëm; atë të kalimit të provimeve. 

"Agim Bendo u perjashtua per 15 vite nga sistemi i drejtesise pasi ju shmang vetingut me doreheqje, i biri fiton Shkollen e Magjistratures! Te njejten shkolle ka fituar edhe vajza e ish-gjyqtarit Gramoz Levanaj edhe ky i perjashtuar nga sistemi me modelin e doreheqjes! I njejti fat i ra edhe vajzes se ish-gjyqtarit Alltun Çela, e shume e shume te tjere! Pra, Shkolla e Magjistratures, si i vetmi institucion qe “prodhon” gjyqtare e prokurore qe nga vitit 2015 ka pranuar me shumice, zyrtare te administrates se kesaj mazhorance edhe femije, vellezer, motra, mbesa e te aferm te gjyqtareve e prokuroreve te perjashtuar nga Vetingu! Ju do te thoni, cpune ka femija qe prinderit jane te korruptuar?? Dakord! Shkollimin keta femije me cfare para e mbaruan!? Sa kane ndikuar prinderit qe te vleresohen me nota te larta nga profesoret! Ndoshta ndonjeri edhe e meriton kete shkolle se e mori provimin me merite, por vetingsat shkarkuan prokurorin B.Maksutaj per shkak se babi i tij i ndjere (jo gjyqtare e prokurore) nuk i kishte justifikuar parat e fituara per shume vite si noter e avokat! Pra me kete logjike, pse femijet e ketyre duhet te pranohen nga Shkolla e Magjistratures, qe eshte kthyer ne çerdhe te partise dhe prodhues te gjyqtareve adoleshent si rasti i Kapedanit ne Elbasan!,"-shkruante ajo në rrjetet sociale. 

PËRFSHIRJA E ADMINISTRATËS

Denoncimet vazhduan! Në prill, një vit më vonë, ish-kryeministri Sali Berisha shkruante se Shkolla e Magjistraturës ishte kthyer nnë një shkollë të Partisë Socialiste me pretendimin se mbi 75% e të pranuarve janë punonjës të administratës qeveritare, të gjithë, të rekrutuar pas vitit 2017. Si bazë për denoncimin e tij, Berisha mori një mesazh të marrë nga një "qytetar dixhital". 

"Pershendetje doktor, Pikerisht sot u bera kurioze dhe po shihja kush ishin 131 personat qe kishin kaluar fazen e pare dhe dje bene provimi e fazes se dyte. Trecereku ishin po punonjes administrate te rekrutuar rishtazi! Dhe kjo liste qe ju kane cuar qenka shume interesante… sepse tregon qe e fitojne ata qe jane rekrutuar nga partia (dihet sa “kollaj” eshte te punesoheh neper AShK, apo ne ministri). Per keta qe jane nga ministria e drejtesise, e di shume mire qe pas 2017 jane punesuar si operatore me kontrate qe i solli Etilda nga Fresh-i. Praktikante pa ndonje aftesi te vecante, nivel me i ulet se mesatari! Cudi si kane penetruar kaq shume! Ketu me posht keni listen e te perzgjedhurve te Partise per shkollen e magjistratures Hb Sistemi i Drejtësisë ka nevojë për prokurorë e gjyqtarë të rinj, për shkak se shumë i ka larguar vetingu. Fillimisht, u rekrutuan nga administrata shtetërore dhe pasi studiuan e punuan njëkohësisht, sot do jenë drejtësia e re. Shumë magjistratë vijnë nga ministritë. Të tjerë nga institucionet në varësi të ministrive apo kryeministrisë. Institucionet që kanë trajtuar çështjet e pronësisë dhe pushteti vendor mbajnë numrin më të madh. Disa magjistratë janë rekrutuar prej ndërmarrjeve me kapital shtetëror nga pozicione të mirëpaguara,"-denoncoi Berisha. 

Denoncimit të Berishës, iu shtua edhe ai i avokatit Saimir Vishaj, i cili pretendois e pjesë e shkollës ishin dhe fëmijë të grupeve kriminale në vend, por nuk përmendi asnjë emër. Gjithashtu, denoncimi i tij nuk u faktua kurrë nga askush, të paktën deri më sot. Përgjigjia e vetme erdhi për Berishën. Shkolla e Magjstraturës, me anë të një reagimi zyrtar, Shkolla e Magjistraturës shton se reagime të tilla bëhen me qëllim të çorientimit të opinionit publik, ndërsa rithekson edhe njëherë se të gjitha rregullat e kandidimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve respektoheshin me rigorozitet, pa lënë asnjë hapësira ligjore.

“Në vitin 2020 kanë konkurruar 269 aplikantë, janë shpallur fitues 66 aplikantë (5.5% e konkurruesve). Nga aplikantët fitues, rezulton se 22.7% vijnë nga radhët e administratës publike. Diferenca e fituesve vjen nga radhët e veprimtarive private. Në vitin 2021 kanë konkurruar 269 aplikantë, janë shpallur fitues 65 aplikantë (9.6% e konkurruesve). Nga aplikantët fitues, rezulton se 38.4% vijnë nga radhët e administratës publike. Diferenca e fituesve vjen nga radhët e veprimtarive private. Në vitet e mësipërme lista e kandidatëve me eksperiencë nga administrata publike, zë 34.4% të personave që kanë konkurruar në 3 vite. Për rrjedhojë, përmbi 65% të kandidatëve fitues vijnë nga veprimtari private. Së fundi, do të shprehim gatishmërinë tonë për kërkesat e çdo të interesuari që dëshiron të njihet edhe në detajet për veprimtarinë e përditshme të Shkollës së Magjistraturës, në veçanti për organizimin e provimit të pranimit dhe vlerësimit të rezultateve. Ky element përmban një prej meritave bazë, shumë të suksesshme të Shkollës sonë që ia vlen ta ndajmë me cilindo, edhe për ta përhapur në aktivitete apo institucione të ngjashme,”-thuhej ndër të tjera në reagimin zyrtar.

MESATARJA

Shkolla e Magjistraturës shpërndau të mërkurën më 31 janar një njoftim që e cilësoi të rëndësishëm për të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2024-2025. Në një mbledhje të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës ishte vendosur ndryshimi i kriterit të mesatares së lëndëve, duke hequr kërkesën për notë mesatare mbi 8-të, të të gjitha lëndëve kryesore. Ky ndryshim shkaktoi reagime duke ngritur dyshime lidhur me cilësinë e të diplomuarve që do të vendosin më pas për fatet e qytetarëve në Gjykata. Megjithatë zhurma u shua shpejt, e ndryshimi i mesatares, ashtu si problemet e tjera u harruan shpejt. 

Deri dje...

Studentët (aspirantë sepse me rregull duhet të kenë të paktën 5 vite punë në profesion) që kanë dhënë provimin e parë për t'u pranuar në Shkollën e Magjistraturës denoncuan se listës së fituesëve i ishin shtruar në mënyrë të padrejtë edhe 42 emra të tjerë. Sipas tyre, 411 kandidatë ishin mbledhur për të mbyllur fazën e parë të provimit, i cili është kontrolluar me scantron në prezencën e të gjithëve. Më pas, ka dalë lista me 79 fitues. Deri në këtë pikë, të gjithë ishin të kënaqur. Por vetëm 24 orë më vonë, fituesit nuk ishin më 79, por 121 persona. Studentët pretendojnë se tezat janë rikorrigjuar pa prezencën e pjesëmarrësve dhe kërkuan anulimin e konkursit. E gjitha kjo, po sipas studentëve, është bërë që në listë të futen emra të tjerë që nuk e meritojnë të jenë fitues. Duke e kthyer problemin që ZËRI e ka listuar edhe më sipër, nepotizimin dhe ndikimin partiak për të ngjitur shkallët e karrierës.

Por edhe pasi studentët e shkollës së Magjistraturës denoncuan gjithë atë që ndodhi para syve të tyre, drejtori i Shkollës, Arben Rakipi pretendoi se rivlerësimi i tezave u bë pasi gabimisht scantron kishte llogaritur pikët maksimale 96 dhe jo 100 dhe kjo kishte sjellë ankimin e kandidatëve që nuk ishin shpallur fitues. Ndaj edhe sipas tij u shtuan emra të tjerë në listë.

“Ne kemi patur shumë ankesa dhe do vlerësohen një më një. Pas shqyrtimit të ankesave do përpilohet rezultati, ndërkohë që nesër do të zhvillohet provimi profesional tek kompleksi olimpik te pishinat në orën tetë. Dje scantron shpalli 79 fitues, ku shuma e pikëve është një qind pikë dhe scantroni gabimisht ka llogaritur listat duke u bazuar në 96 pikë. Nuk shoh arsye pse provimi të përsëritet, nuk bëmë gjë tjetër veçse korrigjuam gabimin e parë që kishte lënë jashtë garës të tjerët. Ankesat po i shqyrtojmë,”-sqaroi ai për TCH.

Megjithatë se përse nuk ishte bërë ky proces në sy të kandidatëve të tjerë, Rakipi nuk dha asnjë përgjigje. U mjaftua duke shtuar vetëm: Ankesat po i shqyrtojmë! 

Tani, pasi skandali ka marrë dhënë, shkolla e Magjistraturës deklaron se do të marrin një tjetër pajisje “Scantron”, e cila do të bëjë ri-vlerësimin nga e para, por kjo lëvizje do e kthejë procesin në pikën zero. Por si ka ndodhur ky problem nuk di të japë sqarime. Gazetarja Klodiana Lala sugjeron që skandali në Shkollën e Magjistraturës duhet hetuar.

"Nëse ka prokuror me integritet duhet ta hetojë këtë skandal. Magjistratura duhet të jetë meritokraci, jo të mbushet me militantë, patronazhistë dhe artifica të politikës!,"-shkruan ajo. 

Askush nuk e "blen" problemin e pajisjes “scantron”, sepse nëse në të vërtetë do ishte pikasur, do ishte vetë Shkolla ajo që do bënte njoftimin, qoftë edhe për ripërsëritjen apo rivlerësimin e testeve. Në sy të kandidatëve, ashtu siç edhe ndodhi pak ditë më parë, por shtimi i numrave me çdo orë që kalon ka shkaktuar një skandal që “hedh në erë” integritetin e Shkollës së Magjistraturës, jo vetëm për këtë vit por edhe për provimet e viteve të shkuara.

A janë gjyqtarë dhe prokurorët e dalë në vitet e shkuara, anëtarë të sistemit të drejtësisë të “prodhuar” nga kjo pajisje? Ata që u shtuan, ishin meritë, apo "hatër" i baballarëve të tyre me pozitë. Deri tani ka vetëm fjalë, por nëse nga ajo shkollë ka dalë ndonjë hetues me integritet, tani është momenti për të vepruar. Jo më me fjalë, por me vepra. Vetëm kështu mund të provohet se reforma në drejtësi është e paprekur dhe e pacënueshme nga askush. Nuk shitet dhe nuk blihet. Të paktën jo më. Ndryshe ç'ndryshim ka nga "Plepat"?/ZËRI

Poll

MOS HUMB