
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sekuestros ndaj llogarive bankare të Arben Ahmetajt. Vendimi është dhënë sot nga gjyqtari i Apelit Dhimitër Lala, duke lënë në fuqi masën e sekuestrimit të pasurive të ish-zv.kryeministrit.
Vendimi: Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimiter Lara, sot më 28.10.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 158 akti, datë 18.10.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi A.A., ndaj vendimit nr. 364, datë 26.09.2023 (lidhur me sekuestron e pasurisë) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 364 akti datë 26.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në datën 18 Korrik të këtij viti Prokuroria e Posaçme njoftoi sekuestrimin e 4 apartamenteve në pronësi të ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe dy llogarive bankare të tij ku ishin depozituar mbi 124 mijë euro.
Ahmetaj dyshohet nga SPAK për të paktën tre vepra penale, nga korrupsioni, të fshehja apo mos deklarimi i pasurisë dhe pastrimi i parave, në lidhje me dosjen e inceneratorëve, ndërkohë që pak javë më parë ndaj tij u ngrit dhe një tjetër akuzë për privatizimin e ish-fabrikës së bukës. Ahmetaj dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Fezollari në privatizimin e ish-fabrikës, në truallin e të cilës sot është ngritur një qendër tregëtare. Vetë Ahmetaj ka deklaruar pafajësinë në të dy rastet, edhe pse ka zgjedhur që të mos përballet me drejtësinë, duke u arratisur jashtë vendit, ndërkohë që është shpallur në kërkim ndërkombëtar./Zëri.ai