
KORÇË-Dyshime të shumta dhe përplasje mes institucioneve po pasojnë vrasjen e 42 vjeçarit Egli Proga. Prokuroria në reagimin e saj të parë zbardhi dinamikën e ngjarjes, që nga momenti kur është marrë njoftimi për një person të gjetur pa ndjenja në rrugë deri tek regjistrimi i procedimit penal për veprën ‘vrasje nga pakujdesia’. Ndër të tjera në njoftimin zyrtar theksohet se ende nuk dihet çfarë shkaktoi vdekjen e 42-vjeçarit, një grusht, një rrëzim apo dhuna me sende të forta. Prokuroria zbulon se Proga ka marrë dëmtime në fytyrë, në krahun dhe këmbën e majtë, por për të përcaktuar shkakun e plagëve duhet një përgjigje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Paraprakisht dëshmitarët që ndodheshin në lokal dhe vetë autori i ngjarjes Denis Meçe kanë deklaruar se një grusht mjaftoi t'i merte jetën Egli Progës.
Nga dëshmitë e përcjella nga policia, një dëshmitar okular i ngjarjes është shprehur se: kur ka ardhur viktima në lokal dukej në gjendje në dehur, fillimisht të dy me të dyshuarin po bënin shaka me njëri-tjetrin, dhe më pas viktima filloi të përdorte fjalë ofenduese ndaj të dyshuarit dhe ky i fundit i tha të dilnin pak jashtë të sqaroheshin. Ai deklaroi se pa nga xhami i lokalit që i dyshuari e goditi me grusht viktimën i cili ra fillimisht në anën e një dhe më pas në tokë.
Ndërkohë që vetë autori i ngjarjes është shprehur se nuk ka pasur si qëllim vrasjen e 42-vjeçairt, ka tentuar ta godasë, por nuk e ka goditur, pasi ai është rrëzuar direkt vetë në tokë. Më pas i çorientuar është larguar.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Po kështu, u morën deklarimet e shtetasit A.Sh., i pranishëm në ambjentet e brendshme të lokalit, i ulur në të njëjtën tavolinë me viktimën, i cili deklaroi se, kur ka ardhur viktima në lokal dukej në gjendje në dehur, fillimisht të dy me të dyshuarin po bënin shaka me njëri-tjetrin, dhe më pas viktima filloi të përdorte fjalë ofenduese ndaj të dyshuarit dhe ky i fundit i tha të dilnin pak jashtë të sqaroheshin. Ai deklaroi se pa nga xhami i lokalit që i dyshuari e goditi me grusht viktimën i cili ra fillimisht në anën e një makine dhe më pas në tokë. U morën deklarimet e shtetasve V.Sh, A. M. dhe L. G. të cilët deklaruan se nuk e panë ngjarjen po shkuan pranë viktimës pasi dëgjuan të bërtitura. Gjithashtu u krye këqyrja e jashtme e viktimës, gjatë së cilës u konstatuan dëmtime në pjesën e fytyrës, në krahun dhe këmbën e majtë, por nuk përcaktohet shkaku i këtyre dëmtime, nëse është si rezultat i goditje me grushta, me sende të tjera, apo nga rrëzimi i trupit të lirë të viktimës në trotuar dhe mundësia e përplasjes ndërkohë me ndonjë send. Në lidhje me këtë çështje priten përgjigje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Rreth orës 19:09 të 10 gushtit, është marrë njoftimi se në afërsi të vendit quajtur “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjja nr.2 në Pogradec, është gjetur një person i shtrirë pa ndjenja, i cili pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale, është identifikuar si Egli Proga. Sipas Prokurorisë, Proga, baba i dy fëmijëve, është dërguar në spital pa shenja jete. Gjykata ka lënë në burg autorin, Denis Meçe dhe dha masën “detyrim paraqitje” për Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç./ZËRI