
KOSOVË- Vdekja e gazetarit Artjon Turkaj, i cili njihej për humorin e tij të zi në rrjetet sociale, ka sjellë një sërë reagimesh në Shqipëri dhe Kosovë. Një ndër të parët që komentoi vdekjen e tij ishte Imami Ahmed Kalaja, i cili në postimin e tij shkruan se gazetari humbi jetën pasi “u tall me Zotin”.
Reagimi i tij ka bërë që gjithë rrjeti të shpërrthejë kundër tij. Sipas reagimeve askush nuk mund ti gëzohet vdekjes së dikujt.
‘Është e çuditshme si një njeri i Zotit mund të flasë në këtë mënyrë. Hoxhallarët dhe priftërinjtë na kanë mësuar që Zoti nuk është inatçor, as hakmarrës e as tiran. Po i mëshirshëm. Nuk ka nevojë Perëndia të dënojë me vdekje një komedian se ky i fundit i paska lënduar egon. Se po të ishte kështu, pse ky Perëndi nuk vret me infarkt mijëra kriminelë e sadistë që i rëndojnë kësaj toke? Gjynahet dhe sevapet e njeriut i lan njeriu përballë Perëndisë, askujt tjetër,”-shkruan Lolita.
“Të gjithë vdesim, si besimtarët dhe jobesimtarët, sidomos nga infarkti. Për ju ky është vullneti i zotit e për ne një problem shëndetësor fizik,”- i përgjigjet një tjetër Imamit.
“Vdekja e Artjon Turkaj përveçse më mërziti, më bëri të kuptoja dhe diçka. Aq shumë shqiptarë të ligë marrin frymë saqë më humbi shpresa për njerëzimin. Turp dhe shumë neveritëse të shohësh se si i gëzohen vdekjes së një të riu shkak i postimeve të tij satirike,”-shkruan dikush tjetër.
Gazetari i ndjerë Artjon Turkaj në një postim të tij shkruante “Urime Krishtlindjen, jua bëftë Allahu kabull”, pikërisht ky postim është rimarrë dhe komentuar në rrjetet sociale, nga përkrahës së fesë islame, por edhe imamë të ndryshëm si Ahmed Kalaja. Kalaja në postimin e tij shkruan se Zoti komandon zemrën dhe me të nuk duhet të tallemi, duke lidhur kështu shkakun e vdekjes së gazetarit me deklaratën e tij ironizuese./ZËRI