
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun në lidhje me çështjen e “Gërdecit”. Mësohet se seanca e radhës gjyqësore do të mbahet më 28 janar. Vendimi për shtyrjen u mor pasi avokatët e Mediut dorëzuan pyetje të tjera në lidhje me akt-ekspertimin teknik-ushtarak dhe ekspertët morën kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve të ngritura.
Më 9 tetor, GJKKO refuzoi kërkesën e Mediut për riekspertim pjesor për kostot e dëmit financiar të shkaktuar në Fabrikë. SPAK deklaron nga akti i ekspertimit financiar dalin dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e Mediut, gjë që sipas organit të akuzës provon shpërdorimin e detyrës prej tij. Këto pretendime janë kundërshtuar nga Mediu.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”. /ZËRI