
LEZHË- Ditën e djeshme, një aksident në punë i mori jetën 28-vjeçarit Emiliano Frroku, i cili ra nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër në Shëngjin. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se viktima ka qenë i pasiguruar në punë, ndërkohë që ndërtimet ishin duke u kryer në dy katet e fundit të pallatit, të cilët rezultojnë që të kenë qenë mbi lejen e dhënë për këtë godinë.
Mësohet se në momentin e aksidentit Frroku ka qenë duke ngjitur vinçin në katet e fundit të pallatit, por fatkeqësisht është shkëputur dhe ka rënë në tokë bashkë me të, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Në lidhje me ngjarjen, janë shpallur në kërkim 4 persona, ndërsa vijojnë hetimet për të parë veprimet e IVMT, IKMT dhe policisë së shtetit për këtë ndërtim.
Burime nga policia bëjnë me dije emrat e personave të shpallur në kërkim: Leon Ndoci pronari i firmës, Martin Biba administrator, Loren Haxhia inxhinier dhe Hajriz Hoti shtetas kosovar që bente punimet.
Sipas Inspektoriatit të Punës, i riu që humbi jetën ishte i pasiguruar, ndërsa nuk bëhen publike se kush ishte firma me të cilën punonte viktima, apo kompania që ka shkelur lejen për ndërtimin e pallatit.
Aksidentet në punë janë kthyer në një fenomen mjaft shqetësues në vitet e fundit në Shqipëri, vecanërisht në sektorin e ndërtimit, ku kushtet e sigurisë lënë shumë për të dëshiruar. /ZËRI