Aktualitet

'SKYndal'/ Precedenti 'Shkëmbi', shembulli pse Ardi Veliu nuk mund të hetojë policët dhe veten

Për ta thjeshtuar më tej rastin për lexuesin, Zëri zbardh sot për herë të parë, vendimin që Gjykata e Lartë la në fuqi për Artan Shkëmbin, ish-drejtorin e Operacionit Forca e Ligjit, i cili u la në masë pezullimi edhe nga kjo gjykatë, pas kërkesës së autoriteteve gjermane me akuzën se vetë Shkëmbi kishte dhënë informacion për subjektet që do të duhet të hetonte në OFL. 

f.g
'SKYndal'/ Precedenti 'Shkëmbi', shembulli pse Ardi
Artan Shkëmbi, Ardi Veliu

TIRANE- Një nismë e re e ministrit të Punëve të Brendshme, Taulant Balla synon të pastrojë trupën e Policisë së Shtetit duke filluar me të gjithë efektivët e Policisë që kanë patur akses në aplikacionet "Sky ECC" dhe EncroChat, tashmë të zbërthyer nga autoritetet evropiane, ku të përfshirë në Shqipëri deri më tani mendohet se janë dhjetra efektivë policie dhe drejtues të lartë. Zëri.ai, është ndalur prej dy ditësh në thelbin e çështjes. Kush do ti hetojë këta policë? Me atë që tha Balla, se informacionet kërkohen tek drejtori aktual i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Ardi Veliu dhe te drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku. 

Por a mund të bëjë Veliu një hetim të pavarur dhe të pandikuar për veten dhe policët e tjerë të përfshirë në këtë rrjet, kur vetë ai është i përfshirë dhe i përmendur nga Oltian Bistri në transkriptet e dosjes "Metamorfoza"? 

Për ta thjeshtuar më tej rastin për lexuesin, Zëri zbardh sot për herë të parë, vendimin që Gjykata e Lartë la në fuqi për Artan Shkëmbin, ish-drejtorin e Operacionit Forca e Ligjit, i cili u la në masë pezullimi edhe nga kjo gjykatë, pas kërkesës së autoriteteve gjermane me akuzën se vetë Shkëmbi kishte dhënë informacion për subjektet që do të duhet të hetonte në OFL. 

Historia nis më datë 19 mars 2020, kur Oficeri Ndërlidhës në Ambasadën Gjermane i kërkon Policisë së Shtetit verifikimin e pasurisë në Shqipëri të Klaudio Vukajt dhe Aleksandër Prronit. Policia i ktheu përgjigje palës gjermane më datë 22 prill 2020. Por gjatë hetimit në Gjermani, autoritetet zbuloi se Klaudio Vukaj kishte marrë dijeni për hetimin që kishte nisur për të, që më datë 10 prill, 2020. Dikush kishte spiunuar! 

Disa muaj më pas, më 11 shtator, ku zyra e Oficerit ndërlidhës në Ambasadën Gjermane, kallëzon në SPAK, Policinë e Shtetit për dërgimin e informacioneve sekrete te dy të dyshuar, Aleksandër Prroni dhe Klaudio Vukaj. Materiali kallëzues me numër "TIR091/20" u depozitua në SPAK dhe menjëherë prokuroria nisi verifimet. Oficeri gjerman denonconte se OPGJ dhe një punonjës policie, informonte personat në hetim për verifikimet që bëheshin në Gjermani për ta. Në këtë moment, zbulohet se në sistemin TIMS dhe DEEP SEE, në datat 3 prill 2020-10 prill 2020, është loguar vetëm një person, dhe ai ishte drejtori i Hetimit në OFL dhe zv.drejtor i po këesaj strukture, Artan Shkëmbi. 

Ky fakt konfirmohet nga hetimi i SPAK dhe tregon sesi Shkëmbi, zyrtari që do të duhet të hetonte Vukajn dhe Prronin, kërkoi në sistem jo një por plot 4 herë në datë 10 prill 2020, në oraret  12:21; 12:23; 12:24 dhe 12:27.

"Katër orë pasi ky shtetas është loguar në sistemin Deep  See,  ky informacion i është përcjellë shtetasit Klaudo Vukaj,  në Gjermani.  Informacioni është dërguar  me komunikimin me Enchrochat, duke fotografuar sipër një aparati telefoni që mendohet se është Iphone 10. Telefoni Iphone  10 ka fotografuar  informacionin  e ndodhur në Deep See, nga ekrani i kompjuterit."-thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë për Shkëmbin, i cili deri më tani nuk ka asnjë vendim tjetër dënimi përveç masës së pezullimit nga detyra. 

Edhe më i rëndë është përfundimi që arrin trupa e Gjykatës së Lartë. Gjykata vlerëson se informacioni sekret u dekonspirua nga një funksionar publik, që është drejtori Shkëmbi, që i ka ardhur informacioni për shkak të postit dhe më pas abuzoi me të. Qëllimi sipas tyre është përfitimi i parregulltë nga marrëdhënia e shefit të OFL me Vukajn dhe Prronin.

Shembulli i Shkëmbit shërben për të kuptuar sesi një hetim kaq sensitiv nuk mund të lihet në dorën e një njeriu që përmendet vetë si faktor në dosjen "Metamorfoza". Biseda e ish-shefit të Operacionales, Oltian Bistri e bënte palë vetë numrin 1 të AMP. 

Sa i pastër dhe i pandikuar mund të jetë ky hetim? A mundet dikush të hetojë veten? A ekziston një absurditet i tillë?/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB