Aktualitet

Gazetarit i vidhet ID, Bajrami për Zëri.ai: Personi kërkon informacion për një hetim penal në Elbasan

Pas denoncimit të tij, Prokuroria e Elbasanit dhe e Tiranës, kanë nisur procedimin penal.

k.m.
Gazetarit i vidhet ID, Bajrami për Zëri.ai: Personi kërkon
Armand Bajrami

TIRANË- Gazetari i A2CNN, Armand Bajrami është kthyer në 'prenë' më të fundit të mashtruesëve. Një ose disa persona (detaj ende i paqartë) kanë arritur që të sigurojnë një fotokopje të kartës së tij të identitetit; e po ashtu kanë hapur edhe një email në emrin e tij. Me të dy këto mjete janë dërguar kërkesa për informacion në institucione të ndryshme të drejtësisë në vend. Mesa duket gazetari ka qenë "preja perfekte", pasi prej vitesh mbulon çështjet e gjyqësorit. Sapo ka marrë vesh abuzimin me të dhënat e tij personale, gazetari Armand Bajrami ka bërë me dije se ka shkuar për të bërë një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës dhe të Elbasanit, atje ku edhe janë dërguar emailet në emër të tij.

"Kopjen e kartës sime të identitetit e kam lënë vetem ne institucione publike apo private, ku (ne parim dhe sipas ligjit) duhet të më mbrohen të dhenat personale. Shqetësimi është serioz, pasi ky person përmes adresës së falsifikuar, mund të komunikojë me persona apo institucione të tjerë, nën emrin tim, apo të televizionit A2CNN, duke me vendosur në situata të paqena, ndoshta edhe penale,"-shkruan gazetari në denoncimin që ka bërë në rrjetin e tij social.

Pasi u njohëm me rastin në rrjetet sociale, redaksia e "Zëri.ai" kontaktoi vetë me gazetarin për të marrë një prononcim. Në fjalën e tij, Bajrami është shprehur se ende nuk ka dyshime tek askush dhe nuk e di për çfarë po përdoren të dhënat e tij. 

"Mendoj se duke iu prezantuar institucioneve ku është drejtuar nën identitetin tim dhe atë që përfaqësoj, një reporter të çështjeve të drejtësisë, do të shtonte mundësinë për të marrë përgjigje mbi interesin e tij. Dyshoj se mund të jetë një nga personat që preket nga ai hetim, ose të tjerë pranë tij,"-shkruan në prononcimin e tij për "Zëri.ai" gazetari.

REAGIMI I PLOTË I GAZETARIT PËR ZËRI.AI:

Nuk kam asnjë dyshim se ku mund të ketë rrjedhur karta ime e identitetit. Kopje të saj kam lejuar të bëhet në institucione shtetërore, kur ka qenë e nevojshme, apo edhe private, si psh. banka të nivelit të dytë, ku paralelisht më është pohuar që të dhënat personale kane qëne të sigurta dhe të trajtuara sipas ligjit për mbrojtjen e tyre.

Nuk jam në gjendje të them qëllimet që ka personi që ka falsifikuar një adrese elektronike ku përdor identitetin tim, ID-në time, si edhe adresën e emrin e televizionit A2 CNN ku punoj. Nga sa jam vënë në dijeni, informacioni i kërkuar i përket ecurisë së një hetimi të Prokurorisë së Elbasanit. Mendoj se duke iu prezantuar institucioneve ku është drejtuar nën identitetin tim dhe atë që përfaqësoj, një reporter të çështjeve të drejtësisë, do të shtonte mundësinë për të marrë përgjigje mbi interesin e tij. Dyshoj se mund të jetë një nga personat që preket nga ai  hetim, ose te tjerë pranë tij. Pas kallëzimeve të bera, në dijeninë time edhe Prokuroria e Tiranës edhe ajo e Elbasanit kanë regjistruar procedim penal.

Ndërkohë, deri më tani, ende nuk ka asnjë sqarim nga institucionet e drejtësisë lidhur me rastin. Por siç bën edhe vetë me dije gazetari, pas denoncimit të tij, Prokuroria e Elbasanit dhe e Tiranës, kanë nisur procedimin penal./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB