SHKUP - Bastisjet e policisë në qytetin e Shkupit dhe rreth kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, të enjten rezultuan në arrestimin e një grupi kriminal ndërkombëtar, të përfshirë në kontrabandën e kokainës nga Amerika e Veriut. Pjesëtarët e grupit dyshohen për së paku 3 vrasje.
Të enjten mbrëma, ministri i Brendshëm në largim i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski tha se policia kishte arrestuar gjashtë të dyshuar, ndërsa një person tjetër ishte arrestuar tashmë në Spanjë. Spasovski tha se janë ngritur kallëzime penale kundër gjithsej 16 personave, teksa disa prej të dyshuarve besohet se janë jashtë shtetit. “Ky është një nga hetimet më të rëndësishme. Me të po shkojmë drejt hetimit të plotë të grupeve kriminale që veprojnë në territorin e Shkupit, për më shumë se 30 vjet”, tha ai.
Duke folur për të dyshuarit që besohet se janë jashtë Maqedonisë së Veriut, Spasopvski tha se për ta do të lëshohen urdhërarreste ndërkombëtare, pasi, siç tha ai, “autoritetet e dinë se ku janë dhe janë në bashkëpunim të ngushtë me Europolin”.
Bandat në terren dhe vrasjet e stilit mafioz
Policia tha se kontrolloi rreth 20 lokacione në fshatin Gërcec afër Shkupit, si dhe në komunën e Çairit, gjatë të cilave arrestoi gjashtë të dyshuarit dhe sekuestroi para, makina luksoze dhe sende të tjera. Një hetim i BIRN, i botuar në shtator 2023, zbuloi se si një varg vrasjesh të kohëve të fundit të stilit mafioz kishin ndodhur rreth Shkupit.
Burimet i thanë BIRN për atë që ata besonin se vrasjet bëheshin nga nëntoka kriminale në Shkup dhe se konfliktet e ashpra në terren kishin lidhje me kontrabandën e drogës, duke përmendur si lokacione për trafik Gërcecin dhe Çairin, ku policia kreu bastisjet, si pika të njohura, ku këto banda banojnë dhe veprojnë. I dyshuari kryesor për formimin dhe drejtimin e grupit që kontrabandonte kokainë dhe kryente vrasje ka inicialet SH. M. 46 vjeç, nga Gërceci, i cili tani ndodhet në paraburgim.
Ministri Spasovki tha se nga provat e disponueshme, grupi me bazë në Maqedoninë e Veriut kishte dimension dhe lidhje ndërkombëtare. Grupi transportoi 435 kilogramë kokainë nga Brazili në portin belg të Antuerp-it si dhe 106 kilogramë kokainë nga Peruja në portin holandez të Roterdamit. Grupi gjithashtu kontrabandonte drogë nga Belgjika dhe Shqipëria në Maqedoninë e Veriut.
Spasovski tha se banda ka kryer vrasje dhe dyshohet për vrasje në tentativë të një personi nga fshati Bardovc afër Shkupit, si dhe për vrasjen e një shtetasi shqiptar të gjetur të vdekur në fshatin Matka afër kryeqytetit në maj të vitit 2020. Banda dyshohet edhe për vrasjen e dyfishtë të 5 marsit 2021, kur dy personat me iniciale A.B. dhe B.V. janë vrarë në Shkup.
Ministri vuri në dukje gjithashtu se banda po përdorte aplikacionin famëkeq të mesazheve të sigurta Sky ECC, dikur i përdorur nga baronët e krimit dhe të drogës, përpara se të mbyllej në vitin 2021.
Grupi kriminal dyshohet se bashkëpunonte me zyrtarë të lartë
Spasovski shtoi se hetimi ka të ngjarë të zgjerohet, për të përfshirë krime të tjera të kryera nga grupi dhe për të goditur bashkëpunëtorët e tyre, përfshirë ata brenda institucioneve të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se publiku do të befasohet kur të dëgjojë emrat e tyre. “Ka [njerëz] të përfshirë nga shumë institucione, duke përfshirë nga Ministria e Brendshme, agjencitë dhe ministritë e tjera, në gjykata, prokurori e kështu me radhë. Ka shumë [njerëz] të përfshirë, prandaj thashë se do të habiteni në periudhën në vijim”, u tha Spasovski gazetarëve. “Duhet të zbulojmë ata që në disa momente bërtisnin – “Kap kriminelin!” – dhe në fakt ishin ata banditët”, tha ai.
Kjo ka të ngjarë të jetë një nga konferencat e fundit për shtyp të ministrit. Qeveria e udhëhequr nga socialdemokratët e Spasovskit dha dorëheqjen të enjten, duke pritur zgjedhjen e një qeverie të re teknike, e ngarkuar për të përgatitur vendin për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, të planifikuara për në fund të prillit dhe në fillim të majit.
Si pjesë e marrëveshjes së arritur mes partive në pushtet dhe në opozitë, posti i Spasovskit në qeverinë teknike, e cila do të qeverisë për 100 ditë, do t'i shkojë opozitës. I pyetur nëse kjo mund të rrezikojë hetimin aktual, ai tha: “Askush nuk mund ta ndalojë këtë proces”./ZËRI/