TIRANË- Ish-drejtuesja e SHISH e cila ndodhet në masën “arrest shtëpie”, Vlora Hyseni do të merret në pyetje ditën e nesërme në ambientet e GJKKO-së.
Lajmin e ka bërë me dije vetë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila përmes një njoftimi publik njofton se Hyseni së bashku me Fatjon Kalluçin dhe Embro Sulejmanin, të dy persona nën hetim dhe nën masën "arrest me burg" do të merren në pyetje nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t. Seanca për Vlora Hysenin pritet të nisë në orën 12:00, ndërsa Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani do të dëshmojnë para prokurorëve në orën 09:00.
Njoftimi i plotë:
“Nisur nga me interesin i lartë që ka në publik dhe në media procedimi penal nr. 20/1, i vitit 2025, në ngarkim të personave në hetim Vlora Hyseni, e dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1, të Kodit Penal; Fatjon Kalluçi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a/1, i Kodit Penal dhe Embro Sulejmani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 302/2, i Kodit Penal, ju njoftojmë se:
Më datë 23.09.2026 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë gjykatës kërkesat për marrjen në pyetje të personave në hetim Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në shtëpi’ dhe Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’.”
Gjykata ka caktuar oraret për zhvillimin e seancave përkatëse ku të hetuarit do të përballen me togat e zeza lidhur me veprat penale që u ngarkohen:
Ora 09:00 (24.09.2026): Seanca për marrjen në pyetje të personave në hetim Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani.
Ora 12:00 (24.09.2026): Seanca për marrjen në pyetje të personit në hetim Vlora Hyseni.
/ZËRI