
TIRANË- Belgu Dries Lonneux ka frikë që të tregojë se kush është "koka" e trafikut të kokainës në Shqipëri, pasi në vendin tonë ka edhe familjen. Në dëshminë që ka dhënë në gjyq, belgut të cilit iu sekuestruan 10 pasuri në Shqipëri, ai tregon se nuk është kreu i grupit. Por shton edhe se më shumë detaje nuk jep dot lidhur me grupin dhe personin që e drejton pasi familjen e ka në Shqipëri dhe ka frikë për jetën e tyre. Madje ka kërkuar edhe lirinë nga qelia.
"Nuk jam unë kreu i bandës së kokainës. Është grup i madh, isha thjesht mbikëqyrës i drogës. Nuk mund të flas për liderin shqiptar të grupit, familja ime jeton në Shqipëri. Kam marrë pjesë në aktivitetet e kësaj organizate, por nuk kam dhënë urdhra apo direktiva. Kam marrë urdhra dhe kam qenë i pranishëm në një rol mbikëqyrës. Misioni im ishte të shikoja dhe të raportoja. Unë nuk e preka kokainën, dua dënim më të lehtë,"-tha në fjalën e tij, Dries Lonneux.
Pasuritë e sekuestruara:
Nga ana e Prokurorisë së Posaçme është bërë e mundur ekzekutimi i vendimit nr.18 datë 30.06.2023 i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lidhur me sekuestrimin e pasurive të shtetasit belg Dries Lonneux, person i akuzuar ne Belgjikë nën akuzën: “Drejtues i një organizate kriminale”, “Trafikim lëndësh narkotike në bashkëpunim” dhe në veçanti për “Importimin e lëndës narkotike të llojit kokainë”.
Pasuria me sipërfaqe 122.8m2, ndodhur në Sarandë, e llojit “Apartament”, përfituar me kontratë shitje për shumën prej 45 000 Euro;
Pasuria me sipërfaqe72.90 m2, ndodhur në Sarandë, e llojit “Apartament”, blerë nga shtetasi belg Dries Lonneux për shumën monetare prej 25 000 Euro;
Pasuria me sipërfaqe 108 m2, ndodhur në Sarandë, e llojit “Apartament”, blerë nga shtetasi belg Dries Lonneux për shumën monetare prej 35 000 Euro;
Pasuria me sipërfaqe 115 m2, ndodhur në Sarandë, e llojit “Apartament”, blerë nga shtetasi belg Dries Lonneux, për shumën monetare prej 35 000 Euro;
Pasuria me sipërfaqe 58.80 m2, ndodhur në Sarandë, e llojit “Apartament”, blerë nga shtetasi belg Dries Lonneux, për shumën monetare prej 25 000 Euro;
Pasuria e ndodhur në Tiranë, e llojit “Arë + truall”, me sipërfaqe 5 150 m2 nga të cilat 849 m2 truall dhe 283 m2 ndërtesë, në pronësi të shoqërisë “Ralet Green” shpk., përfituar me kontratë shitje nga Shoqëria “Ralet Green” shpk, përfaqësuar nga administratori Dries Lonnuex për shumën prej 250 000 Euro;
Pasuria me sipërfaqe 550 m2, e ndodhur në Tiranë, e llojit “Arë”, në pronësi të shoqërisë “Ralet Green” shpk;
Pasuria me sipërfaqe 2 890 m2, e ndodhur në Tiranë, e llojit “Arë”, në pronësi të shoqërisë “Ralet Green” shpk;
Pasuria me sipërfaqe 1 180 m2, e ndodhur në Tiranë, e llojit “Arë”, në pronësi të shoqërisë “Ralet Green” shpk;
Pasuria me sipërfaqe 1 900 m2, e ndodhur në Tiranë, e llojit “Arë”, në pronësi të shoqërisë “Ralet Green” shpk;
Në vitin 2019, Dries Lonneux rezulton se ka investuar në Shqipëri në hapjen e një kompanie biznesi me emrin “RALET GREEN”, me objekt aktiviteti zhvillimin e teknologjive të reja. Ai gjithashtu ka në pronësi dhe pesë apartamente në Sarandë, të cilat janë sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme.
Dy vite pas këtij investimi, autoritetet në Belgjikë kanë zbuluar një rrjet të gjerë laboratorësh ku u sekuestrua 2 ton kokainë me vlerë 80 milionë euro.
Kush është Dries Lonneux?
43 vjeç, i arrestuar në Belgjikë në Tetor të 2021 si drejtues i një organizate kriminale që trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine, dyshohet se investoi në Shqipëri që në vitin 2016. Gjykata e Apelit në Liège, Belgjikë, nisi të hënën hetimin e çështjes në gjyqin “Pharmaceutica”. Vetë Lonneux, banues në Comblain-au-Pont u dënua me 12 vjet burg. Por ai e kontestoi këtë rol. Autoritetet belge pas hetimit penal nisën gjurmimin e pasurisë së tij dhe rezultoi se ashtu si në disa shtete të tjera në Evropë, ai kishte investuar edhe në Shqipëri. Bashkëveprimin e krimit në Belgjikë me grupe shqiptare është bërë më evident gjatë viteve të fundit, teksa të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Posaçme tregojnë se Holanda dhe Belgjika janë vendet që kanë kërkesat më të larta për ndihmë në hetime. 20 kërkesa janë dërguar nga holandezët dhe 17 nga belgët gjatë 2021, teksa objekti kryesor i letërporosive lidhen më drogën dhe pastrimin e parave./Zëri.ai