
TIRANË- Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, të cilët akuzohen për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe të Klodian Saliut, ngjarje e ndodhur në vitin 2005. Gjatë seancës së sotme u bë leximi i deklarimeve të dhëna gjatë hetimeve paraprake i pesë dëshmitarëve. Seanca e radhës pritet që të mbahet më datë 20 nëntor.
Emiljano Shullazi, Viktor Bajraktari, Indrit Taulla, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Rusi dhe Luftar Reçi akuzohen për veprat penle: “Vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Dëshmia e Luftar Reçit zbardhi ekzekutimin e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt dhe me organizimin e operacionit “Asgjë nuk harrohet“, u ekzekutuan urdhër-arrestet për Emiljano Shullazin, Indrit Taullajn, Viktor Ymerin dhe vetë Reçin. Ndërsa Lul Berisha dhe kunati i tij, Plaurent Dervishaj ia kanë dalë të arratisen jashtë vendit
Luftar Reçi u zbërthye në dhjetor të vitit 2020 dhe tregoi me detaje para prokurorit të SPAK, mënyrën sesi ka ndihmuar bandën e Durrësit për të realizuar një minë me telekomandë që është përdorur për të ekzekutuar biznesmenin Vajdin Lamaj, ngjarje e ndodhur më 27 shkurt 2005. Reçi tregonte se minën e ka gjetur përmes njohjeve të tij.
Njoftimi i GJKKO:
Pranë Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është duke u gjykuar ҫështje penale penale me Nr. 31/105 Akti, në ngarkim të të pandehurve: i) E.Sh dhe V.B, akuzuar për për kryerje të veprave penale “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4 dhe 333/a të Kodit Penal, në dëm të shtetasve V.L dhe A.A; ii) I.T dhe L.R akuzuar për për kryerje të veprave penale “Vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit (K.S), “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78, 28/4, 278, dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, si dhe të“Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4 dhe 333/a të Kodit Penal, në dëm të shtetasve V.L dhe A.A; dhe iii) I.R akuzuar për për kryerje të veprave penale “Vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit (K.S), “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78, 28/4, 278, dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Në seancën gjyqësore publike të datës 13.11.2023 u bë leximi i deklarimeve të dhëna gjatë hetimeve paraprake i 5 (pesë) dëshmitarëve. Seanca e rradhës gjyqësore publike do të zhvillohet më datë 20.11.2023 ora 09:00 për të diskutuar lidhur me provat shkresore.