
TIRANË- Shkolla e Magjistraturës i është përgjigjur këtë të mërkurë Këshillit të Lartë të Prokurorisë në lidhje me deklaratën e bërë nga zëvendëskryetari i KLP-së, Tartar Bazaj, ku deklaroi se në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka një kallëzim ndaj Shkollës së Magjistraturës dhe se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur tashmë hetimet. Në reagimin e saj, Shkolla e Magjistraturës i konsideron akuzat si të pavërteta. Sipas SHM, këto akuza bëhen për të cënuar integritetin e shkollës dhe cënojnë rëndë veprimtarinë e saj.
“Shkolla e Magjistraturës shpreh shqetësimin se deklaratat dhe akuzat e pavërteta të bëra ne mbledhjen plenare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndaj procesit të rekrutimit të zhvilluar në muajin prill 2024, janë një cenim i rëndë për veprimtarinë e Shkollës se Magjistraturës, sulm ndaj pavarësisë së saj, një përpjekje për denigrim të autoritet të saj, për te shkaktuar pasojën e drejtpërdrejtë të hedhjes baltë mbi konkurrentët, magjistratë të ardhshëm, që me meritën e tyre janë shpallur fitues në këtë konkurrim”, thuhet në reagim.
Reagimi i Shkollës së Magjistraturës:
Shkolla e Magjistraturës shpreh shqetësimin se deklaratat dhe akuzat e pavërteta të bëra ne mbledhjen plenare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndaj procesit të rekrutimit të zhvilluar në muajin prill 2024, janë një cenim i rëndë për veprimtarinë e Shkollës se Magjistraturës, sulm ndaj pavarësisë së saj, një përpjekje për denigrim të autoritet të saj, për te shkaktuar pasojën e drejtpërdrejtë të hedhjes baltë mbi konkurrentët, magjistratë të ardhshëm, që me meritën e tyre janë shpallur fitues në këtë konkurrim.
Shkolla e Magjistraturës garanton se procesi i rekrutimit të kandidatëve për magjistratë ka qenë për një proces i bazuar tërësisht në meritë, i pavarur dhe në përputhje të plotë me ligjin. Shkolla ka marrë të gjitha masat për të njohur e vlerësuar meritën e konkurrentëve vetëm dhe permbi bazen e njohurive dhe aftesive te tyre profesionale. Fituesit vleresohen të tillë nga Komision i pavarur që është sjellë e do të sillet përherë në mënyrë profesionale.
Pjesëmarrësit në konkurrim gëzojnë dhe ushtrojnë të gjitha të drejtat e njohura nga ligji dhe Rregullorja e Shkollës së Magjistraturës.
Këtë proces meritë dhe transparent ne e vlerësojmë thelbësor për edukimin e pavarësisë dhe integritetit së gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm, ndaj ka mbetur e do mbese i tillë. Ky element përbën themelin e sistemit të ardhshëm gjyqësor.
Shkolla do të vazhdoje të nxisë me përgjegjësi qëndrueshmërinë dhe integritetin e sistemit të përzgjedhjes së gjyqtarëve e prokurorëve të ardhshëm, për shkak se besojmë thelbësisht në barazinë e shanseve të kandidatëve pjesëmarrës si parim themeltar i sistemit demokratik.
Aludimet me keqdashje për parregullsi apo për shpallje fitues të konkurrentëve pa meritë nuk kanë asnjë mbështetje ligjore apo faktike, por janë përpjekje për të dëmtuar Shkollën e Magjistraturës, sistemin e drejtësisë dhe për të cënuar besimin e publikut në drejtësi.
Sulme të vazhdueshme janë organizuar përgjatë gjithë viteve të veprimtarisë së Shkollës së Magjistraturës, si shfaqe zakoni e përpjekjeve që synojne mbajtjen e sistemit gjyqësor dhe anëtarëve të saj, të përgojuar, përdhosur e nështruar. Këto përpjekje kanë marrë përgjigje me vendosmërinë, paanësinë, integritetin dhe profesionalizmin e treguar nga Shkolla.
Shkolla e Magjistratures ka kontribuar, përkrahur e mbështetur Reformen në Drejtësi, ka bërë përpjekje te lavderueshmeër të lehtësuar e furnizuar sherbimin gjyqsor përgjatë viteve të zbatimit nën përgjegjësinë qytetare dhe profesionale për suksesin e saj. Dhe, do të vazhdojë ta bëjë duke pasqyruar për gjithë sistemin gjyqsor shembullin e pavaresisë, dinjitetit dhe profesionalizmit. Ne mendojmë se thelbi i Reformes në Drejtësi ka qendruar pikërisht në këto elemente parësore të cilat synohen të ushqehen tek anëtaret tanë të sistemit qe nis nga merita në përzgjedhjen e tyre.
Shkolla e Magjistraturës do të vazhdojë të kontribojë në projektet madhore profesionale dhe ligjore që vendi ka nevojë, sic është edhe kontributi vendimtar në hartimin e projektit të ri të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ne urojmë që projekti i arrire, paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë të gjejë sa më parë rrugën ligjore të diskutimit të tij per dobine e sistemit te drejtesise penale te Shqiperise.
Akuzat personale të bëra ndaj Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, paraqesin një shqetësim serioz për funksionimin e organeve më të larta të sistemit të drejtësisë dhe për mbrojtjen dhe respektimin e dinjitetit njerëzor. Ato shfaqin mungesës së respektit ndaj institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar, kanë synim të intimidojnë këdo që me përgjegjësi dhe profesionalizëm nuk bëhet pjesë e paligjshmërisë, por kërkon dhe jep drejtësi me punën e tij.
Shqetësues për çdo anëtar të sistemit të drejtësisë, përfshi edhe drejtesine kushtetuese, eshte paraqitja kokeposhte, cënuese dhe joetike e faktit juridik të shkarkimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm, sot drejtor i Shkollës së Magjistraturës. Institucioni i sotem Qeverisës i Prokurorisë pranon në tavolinën e tij zyrtare, trajtimin keqdashes te ngjarjes juridike, nder me te rendat në historinë e parlamentarizmit shqiptar, ate te shkeljes se Kushtetues se Republikes se Shqiperise, konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e kohës.
Mosnjohja, padijenia apo keqpërdorimi i atij fakti juridik, rendon cilindo që bën pjesë në qeverisjen e Prokurorisë së sotme. Organi Qeverisës i Prokurorisë sipas ligjit ka detyrë të mbrojë pavarësinë, integritetin, apo dinjitetin përgjatë kryerjes së detyrës, të respektojë sistemin Kushtetues dhe ligjor të normave dhe, hierarkinë Kushtetuese apo gjyqësore të organeve dhe, te mos lejoje dhe te distancohet nga rrënimi moral, kulturor, professional apo logjiko-emocional te kujdo qe mund te ndikojnë ne qeverisjen e sistemit. Moskuptimi tërësor i faktit, edhe kur është hedhur qarte e zeza mbi te bardhe, është i pajustifikueshëm për çdo praktikant, edhe fillestar, të ligjit, qoftë kur kanë synime politike për të përmbushur, synime karriere apo edhe thjesht, personale.
Shkolla e Magjistraturës do të vijojë të mbështesë Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorinë e Shtetit shqiptar për të arritur synimet e veprimit të saj të pavarur, ligjor dhe të barabartë për të gjithë
Çfarë ndodhi një ditë më parë.
Mbledhja e një dite më parë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nisi me tensione dhe debate. Kjo pasi, në momentin që kryetarja e zgjedhur e KLP-së Mirela Bogdani, lexoi rendin e ditës, ku përfshihej dhe verifikimi i pasurisë për kandidatët e dalë fitues nga provimi i fundit i Magjistraturës, të cilët janë gati për t’u emëruar prokurorë, Tartar Bazaj bëri deklaratën ku thuhej se ndaj shkollës ka një kallëzim në SPAK që lidhej me provimin final, i cili krijoi polemika dhe debate të shumta. Por kundër kërkesës së tij doli fillimisht Arta Mandro e më pas shumica e anëtarëve të KLP-së, duke e rrëzuar kërkesën e tij.
DEBATI I PLOTE
Mirela Bogdani: Në rend të ditës kemi projektatin për fillimin e procedurave të verifikimit dhe pasurisë të të gjithë kandidatëve për tu pranuar në programin e formimit fillestar të shkollës së magjistraturës.
Tartar Bazaj: Do përqendrohem te pika 21 e rendit të ditës ku bëhet fjalë për diskutimin e projektit për fillimin e procedurave të verifikimit të pasurive të disa kandidatëve për tu pranuar në programin e formimit fillestar të shkollës së magjistraturës të vitit akademik 2024-2025. Është një patate e nxehtë pasi këto ditë është thirrur drejtori i shkollës së Magjistraturës. Në dijeninë time është bërë një kallëzim penal në SPAK dhe di që BKH-ja ka nisur të bëjë verifikimet. Kjo nuk është pjesa jonë, por është një çështje që flitet për një skandal. Unë nuk do ta dëshiroja kurrë të ishte e tillë, por është anatemuar drejtori i shkollës së magjistraturës, pa diskutuar personalitetin e tij sepse nuk dua të them që ai ka qenë prokuror i përgjithshëm i shkarkuar nga Parlamenti, por diskutohet një çështje shumë e nxehtë. Edhe kjo çështje duhet të kalonte të paktën në një mbledhje informale ku duhej të diskutoheshin disa gjëra që nuk duhet të ishin pjesë e kësaj mbledhje plenare sepse ne na ka zënë ‘krashti’, nuk kemi çfarë të bëjmë. Ne si komision jemi të detyruar të pranojmë kështu siç është atë listë që na ka sjellë, po se çfarë është bërë, se si u shpall lista e parë, se si pas disa ditësh u shpall lista e dytë, se si pas disa ditësh u shpall lista e tretë dhe nga 79 shkuan 131. Pra pa diskutuar një listë me emra të cilët gojët e liga thoshin “lista me kaq emra ka fituar” dhe ashtu doli në të vërtetë, ka shumë koincidenca. Do të ishte në nderin e këtij këshilli të tregonte atë që i takon sepse në fund të ditës ne na paguajnë taksat e këtij vendi. Në fund të ditës janë qindra milionë dollarë dhe euro të hedhura për këtë investim. Ne nuk duhet t’ua punojmë pas shpine këtyre shteteve mike që kanë investuar dhe kanë marrë nga taksat e shteteve të tyre për këtë reformë. Unë mendoj që kjo pikë të paktën të hiqet.
Arta Mandro: Unë vij nga Shkolla e Magjistraturës dhe nuk mund të jem indiferente për një shqetësim të shtruar nga zoti Bazaj. E njoh me themel Shkollën e Magjistraturës dhe e njoh me themel trupën pedagogjike dhe administrative të Shkollës. Olgeri (një nga kandidatët fitues) nuk do ishte këtu sot nëse nuk do ishte kjo shkollë e Magjistraturës, por si Olgeri edhe shumë të tjerë. Është një institucion që punon si një sehat Omega i shkëlqyer me gjithë kujdesin e duhur për të zgjedhur mbi bazën e një procesi të certifikuar ndërkombëtar për më të mirët. Fakti që Shkolla gjendet në këtë situatë, nuk është për shkak të Shkollës, por është për shkak të Scantronit dhe ne këtë e kemi shumë të qartë. As drejtori i shkollës së magjistraturës, as unë dhe askush tjetër nuk kanë mbetur që të mbeten me scantronët për të rregulluar ndonjë interes të vogël të vetin në qoftë se ky do ishte problemi. Garantoj me bindjen time të plotë që gjëra të tilla nuk ndodhin kurrë në shkollën e Magjistraturës dhe unë jam dëshmitare e gjithë seriozitetit të atij institucioni duke filluar edhe me njerëzit tanë të afërt dhe lus që kjo kakofoni të mos bëhet objekt abuzimi. Mendoj që është e rëndësishme për ne që jemi pjesë e këtij institucioni.
Nurihan Seiti: Në qoftë se ne nuk kemi para tavolinave tona, nëse ka filluar apo jo një çështje penale, se do fillojmë tani në mëngjes dhe nuk e di se kur do mbarojmë. Ne kemi vetëm një mundësi, të vazhdojmë mbledhjen e Këshillit sot duke pasur parasysh që disa akte nuk erdhën në kohë apo ti qëndrojmë kërkesës së zotit Hoda që meqë aktet nuk kanë ardhur procedurialisht në kohë ne ta shtyjmë.
Tartar Bazaj: Unë kam respekt për profesoreshën (i drejtorit Arta Mandros), por janë qindra familje, janë qindra studentë…di që këtë javë kanë thirrur për të dhënë llogari drejtorin e Shkollës së Magjistraturës për këtë situatë. Ne nuk mund të mbyllim sytë. Unë e kam ngritur për vite të tëra dhe dukej gjë e jashtëzakonshme, por ja që doli.
Arta Mandro: Është gënjeshtër.
Tartar Bazaj: Të lutem zonja Mandro. Kur folët ju nuk thashë është gënjeshtër. Kam rezervat e mia, por nuk thashë është gënjeshtër. Këtë problem nuk e kemi ne në dorë, e kanë institucione të tjera.
Ledina Riza: Uroj të mos kemi më diskutime të kësaj natyre.
Tartar Bazaj: A duhet të besoj unë në një person që merr shkresa dhe nuk kthen përgjigje, një person që nuk është transparent, një person i cili nuk u jep studentëve që kandidojnë të njihen me provimet e tyre. Pa diskutuar faktin që ky person është anatemuar nga Kuvendi i Shqipërisë, nga miliona shqiptarë që kanë votuar, është anatemuar dhe shkarkuar. Kështu është zonja Mandro kur gënjen. Ne nuk mund të heshtim sepse do të na dënojë historia.
Vatë Staka: Mund të ketë pasur pretendime për provimin e shkollës së magjistraturës, por ka një gjë. Arben Rakipi është shkarkuar nga Parlamenti në vitin 2002, por është rikthyer me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Namik Dokle, ka dhënë dorëheqjen. Ne e kemi pasur prokuror të Përgjithshëm. Nëse ka dy institucione që populli shqiptar duhet të krenohet është Shkolla e Magjistraturës dhe SPAK. Unë kam shumë respekt për Shkollën e Magjistraturës./ZËRI