Aktualitet

Tentuan të fusin flakadanë në stadium gjatë ndeshjes, 12 të shoqëruar

Të shoqëruarit janë dërguar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, ku ndaj tyre do kryhen veprime hetimore.

D.XH
Tentuan të fusin flakadanë në stadium gjatë ndeshjes, 12
Mjete piroteknike të sekuestruara nga policia në Morinë

MORINË - Policia bën me dije se në pikën kufitare të Morinës, ka sekuestruar lëndë piroteknike, por edhe mjete prerëse, që dyshohet se do futeshin në stadium, gjatë zhvillimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Çekisë.

Efektivët shprehen se janë shoqëruar 12 persona, të cilët dyshohet se posedonin mjetet e paligjshme. Sipas policisë, personat e shoqëruar lëviznin në mënyrë të organizuar, ndërsa janë sekuestruar gjithashtu edhe dy makina të këtij grupi.

Në operacionin policor, janë sekuestruar 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe dy thika. Ndaj të shoqëruarve do të kryhen hetime dhe veprime proceduriale. Ndeshja mes Shqipërisë dhe Çekisë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024, do të luhet sonte në orën 20:45 minuta. 

Njoftimi i policisë:

PKK Morinë/Kontrolle të shtuara ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, në kuadër të planit të masave të Policisë, për garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësise publike, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri - Çeki.

Tentuan të futnin në vendin tonë, lëndë piroteknike dhe mjete prerëse, me qëllim përdorimin gjatë ndeshjes Shqipëri - Çeki, shoqërohen në ambientet e Policisë, 12 shtetas që lëviznin në mënyrë të organizuar me 2 automjete.

Sekuestrohen 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 mjete prerëse (thika).

Në kuadër të intensifikimit të punës në hyrje të vendit, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të kundërligjshme që mund të përdoren gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri - Çeki, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, kanë kaluar në vijë të dytë, për kontrolle të imtësishme, automjetin tip "Volkswagen", me drejtues shtetasin E. A., 22 vjeç, banues në Preshevë, dhe automjetin tip "BMW", me drejtues shtetasin F. Ç., 30 vjeç, banues në Kosovë.

Gjatë kontrolleve në këto automjete, ku ishin dhe 10 pasagjerë në total, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 mjete prerëse (thika), të cilat dyshohet se do të përdoreshin në stadium, gjatë ndeshjes së futbollit që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme.

12 shtetasit u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, me qëllim kryerjen e hetimeve dhe veprimeve procedurale të mëtejshme për posedimin e kundërligjshëm të këtyre sendeve.

Kontrollet e imtësishme vijojnë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB