Aktualitet

U arrestua me urdhër të SPAK, Alban Gjidiaj kërkon të shmangë ekstradimin: Më presin borxhlinjtë e babit…

Gjidiaj akuzohet nga SPAK si i përfshirë në trafikun e armëve nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe.

E.K
U arrestua me urdhër të SPAK, Alban Gjidiaj kërkon të
alban gjidiaj

BRITANI E MADHE- Alban Gjidiaj, i cili është arrestuar në Britaninë e Madhe me urdhër të SPAK, si i përfshirë në trafikun e armëve, kërkon të shmangë procedurën, duke thënë se në atdhe i rrezikohet jeta si pasojë e hakmarrjes.

Daily Mail online ka publikuar një shkrim nga seanca gjyqësore e ekstradimit,  nga ku i riu me origjinë nga Tropoja ka parashtruar pretendimet se përse nuk duhet ekstraduar drejt Shqipërisë.

“I kërkuari shqiptarë në arrati për trafik pistoletash thotë se nuk duhet ekstraduar nga frika gjakmarrjes për një borxh 25.000 stërlina”, ky është titulli Daily Mail online.

David Ball i cili po përfaqëson shtetin shqiptar në këtë proces ekstradimi i tha gjykatës se 29-vjeçari shqiptarë sëbashku me të vëllain më të madh ishin pritësit në Angli të një tavoline druri ku ishin fshehur 6 armë zjarri me numrat serial të fshirë dhe një sasi municioni.

“Roli i personit të kërkuar dhe vëllait të tij supozohet se ishte të merrnin këtë tavolinë. Pretendohet se pati dy dërgesa të mëparshme në mars 2023. Pretendohet se i pandehuri ka bërë një telefonatë dhe ka kërcënuar se do ta vriste një burrë nëse ai identifikonte udhëheqësin e grupit, i cili ishte mik i vjetër i vëllait të madh të personit të kërkuar”, deklaroi David Ball.

Ndërsa Malcolm Hawkes, avokati Gjidiajt, i tha Gjykatësit  Daniel Sternberg se gjakmarrja  e pretenduar datonte që nga një borxh që i ati i tij i ndjerë kishte marrë për trajtim kundër kancerit.

“Babai i personit të kërkuar ishte i sëmurë dhe mori borxh 25,000 £ për trajtim urgjent të kancerit”, tha ai.

“Ai vdiq, prandaj sipas ligjit në kanunit, borxhi i kalon vëllait më të madh, i cili u qëllua, dhe në tetor 2011 ndodhi një shpërthim në apartamentin e tij në Tiranë”.

Gjidiaj i tha gjykatës se kishte ardhur në Mbretërinë e Bashkuar nga frika për jetën dhe se tani kishte frikë se do të vritej po të kthehej në Shqipëri.

Gruaja e Alban Gjidiajt, e cila pritet të lindë fëmijën e tyre të dytë në Shkurt 2026, dëshmoi dhe tha se kishte pasur incidente me vizitorë të çuditshëm më 29 dhjetor të vitit të kaluar, pastaj më 2 janar dhe 4 janar, të cilat u raportuan në polici, por policia nuk i ishte përgjigjur.

I bashkakuzuar nga SPAK për trafik armësh është edhe vëllai Albanit, Almir Gjidiaj i arrestuar në Kolumbi dhe është në pritje të ekstradimit në Shqipëri.

Profesori Dimitris Dalakoglou, një ekspert për gjakmarrjet në shqiptarë, tha: “Është e mundur që këto incidente të lidhen me një gjakmarrje të vazhdueshme. Duhet të gjesh dikë nëse do ta qëllosh, duke parë aksesin dhe mundësitë për ta bërë këtë, duke pasur rrethanat e duhura.”

Gjykata dëgjoi se edhe motra e tij kishte bërë një kërkesë për azil, pasi pretendoi se ishte sulmuar nga njerëz që synonin vëllain e madh, por që atëherë ishte kthyer në Shqipëri dhe nuk ishte përballur me kërcënime të tjera.

Poll

MOS HUMB