
BOLIVI- Lorenc Hyseni, shqiptari i arrestuar të enjten në Bolivi, është lënë në burg nga gjykata. Atij iu caktua masa e sigurisë ‘Arrest me burg”, 6 muaj deri në përfundim të hetimeve. Ai akuzohet si një prej kokave të trafikut të drogës në Azi dhe Europë. Seanca u mbajt me dyer të mbyllura në Santa Cruz në qendrën e Forcave Speciale për Luftën ndaj Krimit (Felç) për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqisnin të dyshuarit.
Ndaj shqiptarit dhe personave të tjerë të arrestuar po gjatë aksionit (Wálter Rivero Lola, Leonardo Barsad da Rocha, Álvaro Roca Casupa, Joao Batista da Silva Carneiro dhe Jacop Dick Pete) rëndojnë një sërë veprash penale. Ata akuzohen për “vrasje e mbetur në tentativë”, “organizatë kriminale”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Gjyqi ndaj tyre zgjati për 5 orë. Pas përfundimit të seancës ata u dërguan në burg. Ata u arrestuan të enjten gjatë një aksioni të gjërë policor. Gjatë arrestimit nuk munguan shkëmbimet e zjarrit mes Hysenit dhe grupit të tij dhe Policisë./ZËRI