
TIRANË- Drejtori i Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, shefi i Sektorit të Aksidenteve në Tiranë, Sokol Novaku dhe Oficeri i Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku janë marrë në pyetje sot nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Të tre u vunë në pranga një ditë më parë, pasi akuzohen se kanë marrë ryshfet që të mos burgosin autoren e një aksidenti në Tiranë.
Zyrtarët dyshohet se kanë favorizuar kundrejt një shume prej 2 mijë eurosh drejtuesen e një automjeti të përfshirë në një aksident, me pasojë dy persona të plagosur. Fajtorja e aksidentit është proceduar në gjendje të lirë.
Të tre ndodhen në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza”. Ata akuzohen për veprën penale korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim.