GREQI- Jerasimo Korkuti 31-vjeç nga fshati Gjashtë i Sarandës dhe Andi Beqiri 27-vjeç nga Konispoli, janë dy të rinjtë shqiptarë të arrestuar nga policia greke për plagosjen e një pakistanezi, ngjarje e ndodhur më 27 maj. Lidhur me këtë ngjarje, bashkë me dy shqiptarët është arrestuar edhe një 30-vjeçar grek, ndërsa një i katërt i dyshuar, po ashtu shqiptar, ka arritur të largohet dhe aktualisht është në kërkim nga autoritetet.
Por kush është Andi Beqiri, një nga të dyshuarit në këtë ngjarje? Andi Beqiri nuk është një emër i panjohur për policinë greke. Ai është arrrestuar më herët për armëmbajtje pa leje. Konkretisht, në shtator 2022 ai është kapur në zonën e Haidarit në Athinë në një automjet ku u gjeten 2 Kallashnikovë me dy karikatorë me 90 fishekë. Në makinë u gjetën edhe dy bileta që i përkisnin qytetit kufitar me Shqipërinë, Igumenicës.
Bashkë më të u arrestua edhe 41-vjecari Viktor Cala. Ky i fundi rezultoi person në kërkim në Greqi, i dyshuar si autor i vrasjes së një romi dhe tentativës së vrasjes ndaj një shqiptari. Lidhur me vrasjen, policia zbuloi se ajo ishte urdhëruar nga 49-vjecari nga Berati, Klod Cara alias Klodian Lekocaj, person i burgosur prej vitesh në Greqi dhe i akuzuar si urdhërues i dhjetëra krimeve të rënda, përfshirë disa vrasje.
Plagosja e palestinezit për larje hesapesh?
Sa i përket ngjarjes 2 ditë më parë, të plagosjes së palestinezit në Athinë, policia dyshon se është kryer për larje hesapesh. Autor i saj është 30-vjecari grek, i cili ka qenë më parë i përfshirë në një plagosje me thikë të një biznesmeni dhe në një vrasje në kuadër të përplasjes së huliganëve tifozë grekë.
Sipas mediave greke, autori i dyshuar ka hyrë në ambientet e biznesit i maskuar dhe i shoqëruar nga një prej shqiptarëve. Pas ngjarjes, autorët janë larguar me një automjet tip “BMË”, duke u përfshirë në një ndjekje episodike me policinë në rrugët e Athinës, gjatë së cilës mjeti është përplasur me disa automjete të tjera para se të ndalohej.
Ndërkohë, autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personit të katërt të arratisur./ZËRI