
DURRËS- 8 personat e arrestuar pas konfliktit në Kepin e Rodonit, pritet që të dalin sot përpara Gjykatës së Durrësit, ku do të njihen me masën e sigurisë, përfshirë dhe ish-deputetin Mark Frroku. Ky i fundit në dëshminë e tij para hetuesve ka thënë se ishin duke bërë rrethimin e pronës së Kishës, kur janë sulmuar nga një grup fshatarësh. Edhe pse shoferi i tij Besnik Toma është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka qëlluar me armë, Frroku ka mohuar që gjatë konfliktit të jetë shtënë, qoftë edhe në ajër.
Mark Frroku: Po punonim kur u sulmuan nga një grup fshatarësh. Ishim duke bërë rrethimin e pronës së Kishës, nuk qëlloi njeri me armë.
Familja Kaçuli: Shkuam të mbronim pronën tonë, e kemi marrë përmes ligjit 7501, njerëzit e kishës na penguin, u përleshëm me ta.
Gjatë ditës së djeshme Mark Frroku tha se kompania e tij ka kontratë me Kishën Katolike për mbrojtjen e pronave të tyre, dhe për këtë shkak ndodhej të dielën në zonën e Kepit të Rodonit.l
“Kam kontratë për menaxhimin e pronave të kishës, por nuk e di kush është zënë dhe pse nisi sherri. Nuk i mbaj mend, nuk di kush qëlloi dhe çfarë bënë”, ka deklaruar dje për blutë Frroku.
Frroku dhe personat e tjerë të lidhur me të akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike. Ndërkohë që banorët e fshatit Shetaj, që po ashtu pretendojnë pronësinë e tokës akuzohen për “plagosje të rëndë me dashje” dhe vetëgjyqësi.
Të prangosurit e tjerë, përveç Frrokut, janë identifikuar si: Bajram Kaculi, Orgito Reka, Ylli Reka, Erjon Reka, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri.
Pse nisi konflikti
Në zonën e Kepit të Rodinit ka një konflikt pronësie për një sipërfaqe toke rreth 5 mijë metrash katrorë, për të cilën ka kontratë pronësie si Kisha Katolike ashtu dhe familja Kaçuli. Pas konflikteve që vijojnë prej vitesh, IMT kishte bllokuar rrethimin e pronës nga Kisha, vendim ky që nuk ishte marrë parasysh prej tyre, dhe të dielën solli dhe agravimin e konfliktit.
/Zëri.ai