Aktualitet

“Universitetet janë kthyer në shkolla nate”, Artan Fuga kritikon MASR: Hiqni masterat 3+2, po rripni familjet shqiptare

Artan Fuga e cilësoi këtë sistem si një mënyrë për të “zgjatur kot studimet”, për të “rrjepur ekonomikisht familjet shqiptare” dhe për të “shkatërruar cilësinë e arsimit të lartë”.

l.k.
“Universitetet janë kthyer në shkolla nate”, Artan Fuga
Artan Fuga

TIRANË- Profesori i njohur Artan Fuga ka reaguar me tone të ashpra ndaj sistemit universitar në Shqipëri, duke kërkuar anulimin e modelit evropian të ndarë “3+2” (bachelor + master) në favor të një masteri të integruar më të shkurtër dhe më efektiv. Në një status të shpërndarë në rrjete sociale, Fuga e cilësoi këtë sistem si një mënyrë për të “zgjatur kot studimet”, për të “rrjepur ekonomikisht familjet shqiptare” dhe për të “shkatërruar cilësinë e arsimit të lartë”. Ai shton se shumica e masterave në vend janë kthyer në “shkolla nate” ku studentët punojnë paradite dhe ndjekin mësimet deri në orët e vona të mbrëmjes, duke mos përfituar as nga përmbajtja akademike, as nga eksperienca studimore.

Fuga sugjeron kalimin në një master të integruar 3+1, më i shkurtër dhe më funksional, duke ulur kostot dhe rritur efektivitetin akademik.

“Nëse doni ta shpëtoni arsimin universitar shqiptar, hiqni dorë nga masteri 3 plus 2. Zgjat kot studimet. Rënon familjet ekonomikisht. Zvoglon numrin e studentëve. Shkatërron cilësinë e mësimdhënies. Humbet interesin e studentëve për shkollën sepse ata punojnë dhe e kanë kaluar moshën që ende të qendrojnë në banga. Rrënon bachelorin. Dublon dijet e dhjetëra drama si këto. Ca janë bërë si shkolla nate ose kurse shoferash për traktoristë! Zakonisht shoh mastere dyvjeçarë që janë bërë si shkolla nate. Në paradite studentët punojnë, shfrytëzohen nga gjakpirësit deri në ora 15 dhe pastaj të studjojnë deri në ora 20. Ç'u bënë ata? Unë i kuptoj ca gjoja universitete që duan të fitojnë lekë dhe ta bëjnë shkollën ta zemë nja tetëdhjetë vjet, t'i rrjepin familjet shqiptare. Por, është gjynah o derra të pangopur! Kaloni në masterin e integruar 3 plus 1 dhe kaq. A ka veshë të dëgjojë ministrja e arsimit apo jo? Apo vapë! Bjerini mo me dru!”, reagoi Fuga në Facebook.

Por çfarë thonë shifrat për universitetet publike në vend?

Në më pak se 1 dekadë universitetet publike kanë pësuar një rënie të lirë. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë një realitet alarmant për arsimin e lartë publik në Shqipëri. Në pesë vitet e fundit (2018–2023), universitetet publike kanë humbur rreth 22,300 studentë, një rënie prej gati 20%. Vetëm në vitin akademik 2023–2024, numri i studentëve në arsimin e lartë ra me 3.6% krahasuar me vitin e kaluar, duke zbritur në 116,994 studentë, nga të cilët vetëm 72.3% janë në institucionet publike. Krahasimisht me vitin 2016, numri i studentëve bachelor në publik ka rënë me 37%, nga 81,546 në 50,594. Cikli i masterit publik ka rënë me 13.7%, ndërsa në sektorin privat ka pasur rritje me 43% në të njëjtën periudhë. Kjo rënie nuk shpjegohet vetëm me faktorët demografikë dhe emigracionin, por sipas ekspertëve si Fuga, lidhet ngushtë me pakënaqësinë për cilësinë dhe strukturën e arsimit të lartë. Në një kohë kur universitetet publike po humbin studentë çdo vit dhe arsimi privat po fiton terren, është më urgjente se kurrë një reformë e thellë dhe e guximshme në arsimin e lartë./ZËRI

Poll

MOS HUMB