Aktualitet

Urdhër-arrest nga SPAK! Apeli i Selanikut vendos ekstradimin e Ilir Shtufit në Shqipëri

Gjykata e Apelit në Selanik ka vendosur ekstradimin në Shqipëri të 53-vjeçarit.

l.k
Urdhër-arrest nga SPAK! Apeli i Selanikut vendos ekstradimin e Ilir Shtufit
Ilir Shtufi

TIRANË- Biznesmeni Ilir Shtufi, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar, do të ekstradohet në Shqipëri. Gjykata e Apelit në Selanik ka vendosur ekstradimin në Shqipëri të 53-vjeçarit. Ekstradimi i tij vjen pas lokalizimit në muajin qershor nga policia greke, në një hotel në Selanik, pas informacioneve të marra nga Interpol. Ai doli sot para Gjykatës së Selanikut për shqyrtimin e kërkesës së ekstradimit, në kuadër të procedurës mes Interpol Athinës dhe Interpol Tiranës.

Mediat greke raportojnë se Shtufi, gjatë seancës, ka mohuar akuzat, duke deklaruar se ekstradimi i tij po bëhet për arsye politike. Ai shtoi se po përndiqet politikisht nga qeveria e Edi Ramës për shkak të aktiviteteve të tij në biznes.

"Jam sipërmarrës që nga viti 1994, drejtoj mbi 20 kompani në Shqipëri, të përqendruara në sektorët e ndërtimit dhe energjisë. Më akuzojnë se i shërbej opozitës në Shqipëri", shkruajnë mediat greke, duke cituar deklaratën e tij në gjykatë.

Ndërsa sa i përket qëndrimit në Selanik, Shtufi deklaroi se në vendin fqinj kishte shkuar pas një ftese, ndërsa tha se nuk ishte në dijeni se përballej me akuza në Shqipëri.

"Biznesmeni kërkohet nga autoritetet shqiptare me akuzat për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe pastrim parash, ndërsa emri i tij ka qenë së fundmi në lajmet ndërkombëtare për shkak të lidhjes së tij me investimin shumë të përfolur të Jared Kushner në bregdetin shqiptar", shkruajnë mediat greke.

AKUZAT NGA SPAK

Shtufi dyshohet për pastrim parash në kuadër të një operacioni që goditi një grup të trafikut të drogës, të drejtuar nga dy vëllezërit Koçeku nga Kamza. Biznesmeni ka qenë aktiv në fushën e ndërtimit, por dyshohet se ka bashkëpunuar me grupin kriminal duke pastruar paratë e përfituara nga trafiku i drogës.

SPAK thotë se Ilir Shtufi dyshohet se është përfshirë në veprime të kundërligjshme të pastrimit të parave në funksion të Luçiano Koçekut, përmes një sërë transaksionesh, si shitje dhe tjetërsime fiktive, me qëllim integrimin e të ardhurave nga aktiviteti kriminal i Koçekut në shoqëritë "Nova Construction" dhe "LTD".

Operacioni i zhvilluar më 12 qershor çoi në lëshimin e 20 masave të sigurisë. Mes personave të përfshirë në hetim është edhe biznesmeni Artur Shehu, i shpallur në kërkim. Po ashtu, në kërkim janë Erion Rama dhe vëllai i tij, Adriani, nipat e Fatmir Ramës, i njohur si "Miri i Xhikes".

Grupi kriminal i vëllezërve Koçeku, i drejtuar nga Luçiano alias Artur Koçeku, vëllai i tij Abedin Koçeku dhe anëtarë të tjerë të familjes, janë mes personave ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë. Sipas SPAK, fitimet e përfituara nga trafiku i drogës janë investuar më pas në kompani ndërtimi, prona të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike./ZËRI

Poll

MOS HUMB