TIRANË- Biznesmeni Ilir Shtufi është shpallur në kërkim për pastrim parash, pas një operacioni nga i cili u godit një grup i trafikut të drogës që drejtohej nga vëllezërit Koçeku.
Sipas SPAK, Shtufi është shpallur në kërkim nën dyshimet për pastrim parash, pasi dyshohet se ka bashkëvepruar me grupin kriminal duke investuar dhe të ardhurat e siguruara nga aktiviteti i trafikut të narkotikëve.
Ndaj Shtufit është lëshuar masa e sigurisë "arrest me burg", që ende nuk është ekzekutuar pasi dyshohet se ndodhet jashtë vendit.
Në fakt, biznesmeni nuk është një emër i panjohur. Ilir Shtufi është i njohur në sektoin e ndërtimit në vendin tonë. Ai zotëron 91% të aksioneve të kompanisë “Nova Construction 2012”, një nga kompanitë e përfshira në projekte të rëndësishme zhvillimi dhe infrastrukture në vend.
Shtufi njihet edhe për lidhjet me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe njihet si biznesmeni i “qiellgërvishtëseve”.
Kompania “Nova Construction 2012” ishte gjithashtu një nga tre operatorët ekonomikë që fituan tenderin për Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Edhe kjo procedurë është aktualisht objekt hetimi nga SPAK.
Ndër projektet më të njohura të lidhura me emrin e tij është edhe kulla “Mali i Tiranës”, një prej ndërtimeve më ambicioze të planifikuara në kryeqytet. Sipas projektit, bëhet fjalë për një godinë me 65 kate, nga të cilat 58 mbi tokë dhe 7 kate nëntokë, me një lartësi prej rreth 185 metrash.
Në kuadër të operacionit kundër grupit kriminal të trafikut të drogës, SPAK ka vendosur sekuestrimin e një numri të konsiderueshëm pasurish që lidhen me biznesmenin Ilir Shtufi. Po ashtu, janë lëshuar 20 masa sigurie. /ZËRI