Aktualitet

Vendimi për ish-krerët e UÇK, studentët marshojnë sot në Prishtinë

Këtë të hënë, studentët e Universitetit të Prishtinës, së bashku me studentë të universiteteve të tjera, kanë paralajmëruar një protestë paqësore sot në Prishtinë.

zh.ll
Vendimi për ish-krerët e UÇK, studentët marshojnë sot
studentet ne konference

PRISHTINË- Në Prishtinë do të protestohet sërish sot, në kundërshtim të vendimit të Gjykatës së Hagës që dënoi me 81 vite burg në total katër ish-krerët e UÇK-së. Këtë të hënë, studentët e Universitetit të Prishtinës, së bashku me studentë të universiteteve të tjera, kanë paralajmëruar një protestë paqësore sot në Prishtinë.

Protesta pritet të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe të vazhdojë drejt sheshit “Skënderbeu”. Gjatë një konference për mediat nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, studentët ftuan të gjithë rininë dhe qytetarët që t'i bashkohen marshimit paqësor. Gjithashtu, ata bënë me dije se do të shpaloset një memorandum prej gjashtë pikash.

Protesta të njëpasnjëshme kanë nisur të zhvillohen pas vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së, vendim që ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e procesit gjyqësor në Hagë. Më 16 shtator katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI

 

 

Poll

MOS HUMB