
PALASË- Një qytetar ka denoncuar një problem të rëndë të ndotjes së ujërave të zeza që po derdhen në det mes Palasës dhe Drimadhës, një prej zonave më të njohura turistike të Shqipërisë. Ujërat e zeza të Palasës po shkaktojnë ndotje të rëndë, duke ngjallur shqetësime për shëndetin publik dhe për mjedisin. Pushuesit që kanë zgjedhur këtë zonë për pushimet e tyre verore janë alarmuar nga ndotja e ujit, ndërsa banorët lokalë shprehin frikë për ndikimet afatgjata në ekosistemin detar dhe në burimet e tyre të të ardhurave, të cilat varen kryesisht nga turizmi sipas JOQ.
Mungesa e një sistemi të rregullt dhe të sigurt për trajtimin e ujërave të zeza ka qenë një problem i vazhdueshëm në zonë, por situata aktuale është bërë më e dukshme dhe shqetësuese. Ndotja e ujit në plazhe mund të çojë në rrezikun e sëmundjeve për ata që bien në kontakt me ujin e ndotur, duke e bërë këtë çështje një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe mjedisin./ ZËRI