KORÇË- Korça është tronditur pasditen e sotme nga vrasja e 20-vjeçarit Johan Zuko, i cili dyshohet se u qëllua me armë zjarri në lagjen nr. 14 të qytetit.
Policia ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar dhe ka intensifikuar kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Në disa zona janë ngritur postblloqe, ndërsa efektivët po kontrollojnë akset rrugore dhe zonat përreth. Gjithashtu, Policia po sekuestron edhe kamerat e sigurisë të bizneseve dhe banesave në zonën ku ndodhi krimi, me qëllim rindërtimin e lëvizjeve të viktimës dhe autorit para dhe pas vrasjes.
20 vjeçari Johan Zuko, i cili mësohet të ketë qenë ushtarak dhe pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u vra pasditen e sotme në lagjen nr.14 të Korçës. Mësohet se i riu ishte fshehur në hyrjen e një apartamenti, ndërkohë që autori e ka ndjekur dhe më pas e ka qëlluar për vdekje me kallashnikov. Pas krimit, autori është larguar nga vendngjarja dhe vijon të jetë në kërkim.