Aktualitet

Vrasja e 41-vjeçarit në Fier, policia: Pati shkëmbim zjarri, Gashi në mjet me vëllanë

Policia me anë të një njoftimi zyrtar bën me dije se mes viktimës Elton Javori dhe autorit Agim Gashi ka pasur shkëmbim zjarri. Gjithashtu, mësohet se autori Agim Gashi është ndihmuar nga ana e vëllait.

D.XH
Vrasja e 41-vjeçarit në Fier, policia: Pati shkëmbim zjarri,
Vrasja e Elton Javorit

FIER – Një ditë pas vrasjes së Elton Javorit në Fier, policia ka zbardhur zyrtarisht dinamikën e ngjarjes së rëndë. Sipas bluve, ka pasur shkëmbim zjarri mes 41-vjeçarit që mbeti i vdekur dhe autorit të dyshuar të ngjarjes, Agim Gashi.

Gashi ka qenë në krahun e pasagjerit në makinën tip Benz dhe ka qëlluar me armë në drejtim të Fouristradës, e cila drejtohej nga ana e Elton Javorit. Policia e Fierit deklaron se bashkëpunëtor në vrasje ka qenë edhe vëllai i Agim Gashit, që ishte shoferi i makinës tip ‘Benz’. Ndërsa është zbardhur dinamika e ngjarjes, nuk dihen motivet zyrtare.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier dhe atyre të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetetit, rezultoi se:

Ditën e djeshme në lagjen “16 Prilli”, Fier, nga një automjet tip “Benz”, nga krahu i pasagjerit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Fuoristradë” e cila drejtohej nga shtetasi E. J., 41 vjeç.

Pas këtij veprimi, shtetasi E. J., ka qëlluar disa herë me armë zjarr pistoletë në drejtim të automjetit tip “Benz”. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi E. J., 41 vjeç. Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me automjetin tip “Benz” janë shtetasit A. G., 35 vjeç dhe K. G., 33 vjeç(vëllezër), të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në afërsi të automjetin tip “Fuoristradë”, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me nr trupi të paidentifikuar e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis shtetasit A. G. dhe shtetasit E. J. për motive të dobëta.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe mbledhjen e te gjitha provave për dokumentimin e plotë të saj.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasve A.G. dhe K.G., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Vrasja e Elton Javorit ndodhi më datë 7 dhjetor 2023. Autori dhe viktima dyshohet se kanë pasur një sherr mes tyre një javë më parë në Gjermani. Viktima kishte pak kohë që kishte ardhur nga shteti gjerman, ku jetonte. Elton Javori dhe Agim Gashi mësohet se kanë pasur njohje të vjetër mes tyre dhe shpesh janë përfshirë në konflikte. Nuk përjashtohet mundësia që konfliktet të ishin për shkak të përfshirjes së tyre në aktivitete kriminale. /ZËRI/

Poll

MOS HUMB