TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Gjykatën e Apelit, Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja. Përmes një postimi në rrjete sociale, Berisha shpreh ngushëllime familjes, ndëra dënon aktin e rëndë. Berisha kërkon dënimin e rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi, ndërsa sipas tij, kjo ngjarje është dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend.
Postimi i Berishës:
Ekzekutohet me armë zjarri gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja.
Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri sallen e gjyqit, në detyrë, gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe.
Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në sallen e gjyqit, dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend.
Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë.