
FIER- Elton Javori mbeti i vrarë në Fier, pak metra larg banesës së tij në lagjen "16 Prilli”, pas një shkëmbimi me armë zjarri që pati me autorin, Agim Gashi. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, në fuoristradën tip “Porsche Cayenne” ku ndodhej Javori është gjetur një armë zjarri. ZËRI ka mësuar nga hetimet paraprake se në momentin e përballjes me Gashin, 41-vjeçari e ka përdorur armën e zjarrit për tu kundërpërgjigjur.
Nga ana tjetër, Policia e Fierit gjithashtu ka bërë me dije se Agim Gashi, që tashmë është shpallur në kërkim, ishte nën shoqërinë e të vëllait në momentin që ka ndodhur ngjarja. Bëhet fjalë për Kreshnik Gashin, i cili gjithashtu është shpallur në kërkim.
Viktima dhe autorët i kishin banesat shumë pranë tyre, në lagjen e Backallinjve në Fier. Vëllezërit Gashi kanë pritur që Javori të dalë nga shtëpia dhe e kanë ndjekur me makinë. Në dalje të Fierit, ata i kanë dalë paralel me makinë dhe pa zbritur nga mjetet, të rinjtë janë përballur me plumba me njëri-tjetrin, ngjarje që përfundoi me vrasjen e Javorit.
ZËRI siguroi dhe publikoi ekskluzivisht pamjet e momentit të vrasjes, ku shihet se vëllezërit Gashi që ndodheshin në një mjet “Mercedes Benz” largohen të parët. Pas i ndjek viktima, por disa metra më tej, ndalon pasi plumbi në qafë i shkaktoi dhe vdekjen.
ZËRI zbuloi se shkak për vrasjen është bërë një sherr mes të rinjve, i ndodhur vetëm një javë më parë në Gjermani.