Aktualitet

“Wizz Air” si linjë urbani! Si la qindra pasagjerë rrugëve të Evropës vetëm në dy vitet e fundit (Denoncimet)

Vetë Autoriteti i Aviacionit Civil ka pranuar në një përgjigje për ZËRI-n se Wizz Air është operatori ajror me fluksin më të madh të fluturimeve, por edhe me numrin më të madh të anulimeve të kryera.

F.m
“Wizz Air” si linjë urbani! Si la qindra pasagjerë
“Wizz Air”

TIRANË- Nëse merr përsipër të udhëtosh me “Wizz Air”, duhet të jesh i përgatitur që nuk mund të mbërrish në destinacionin për të cilin ke prerë biletën, por në një tjetër shtet. Kjo kompani është plot me surpriza dhe pavarësisht denoncimeve që janë bërë për vite me radhë, duket se kjo situatë nuk i bën përshtypje askujt përveç qytetarëve që u prishen planet e punës apo pushimet për të cilat kanë punuar të gjithë vitin.

Sot, ZËRI po ju rendit vetëm denoncimet e bëra në dy vitet e fundit.

Më 17 gusht të vitit 2022, pasagjerët që ishin nisur për në Nicë të Francës, përfunduan në Bergamo. Në foton që publikoi në atë kohë CNA.al avioni dukej që ishte plot me pasagjerë. Avioni është ngritur rreth një orë e gjysmë me vonesë nga pista e aeroportit “Nënë Tereza”dhe në momentin që është nisur, piloti është ‘kujtuar’ të njoftojë: Megjithëse jemi pak me vonesë dhe jemi për në Nicë për shkak të një problemi teknik do të ndalojmë pak në Bergamo”.

Si u ngrit avioni duke pasur një problem teknik?

Çfarë drejton piloti, një avion apo autobus me pasagjerë që i ndalon në disa qytete?

Në këtë rast, "Wizz Air", është përballur me një reagim të ashpër të pasagjerëve dhe disa prej tyre kanë zbritur nuk kanë pranuar që të vazhdojnë fluturimin me këtë kompani.

Por ky nuk është rasti i vetëm.

Më 1 janar të vitit 2023, pasagjerët që ishin nisur për të udhëtuar drejt Londrës me avion, por kanë përfunduar në Greqi. Denoncimi në atë kohë është bërë nga gazetari Arben Manaj, në rrjetet sociale.

“E pabesueshme! Sot në linjën e Wizzair Tiranë-Londër, avioni në vend që të nisej drejt Londrës, për katër grekë ka fluturuar fillimisht drejt Selanikut, përkundër zemërimit të pasagjerëve! Kjo ndodh vetëm me pasagjerë shqiptarë!  Ose kjo është pjesë e Pakos se Madhe për shqiptarët që trajtohen si asnjë komb tjetër! Mirë që s’ka pasur ndonjë pasagjer për Ruanda!  A ka shtet që i mbron shqiptarët!?! Une e di përgjigjen! Nëse e dini, ma konfirmoni gjithësesi!” shkruante Manaj.

Më 18 prill të të njëjtit vit, një qytetar shkruante për JOQ se Wizz Air i ka zhvatur 3 anëtarëve të familjes së tij nga 45 euro për të bërë chek-in. Ai shprehej se kompania nuk i jepte akses në aplikacionin online dhe i drejtonte pasagjerët te sportelet në aeorport me qëllim marrjen e parave. Sipas qytetarit, punonjësit e aerportit i kanë marrë babait të tij faturën e klientit dhe se kjo ishte një skemë që Wizz Air po e ndiqte për të zhvatur sa më shumë shqiptarët.

Qytetari bëri apel në mënyrë që shteti të vihej në lëvizje, por koha ka kaluar dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë hetim e aq më pak ndëshkim për këtë kompani.

Denoncimi i qytetarit:

O JOQ jam vjedhur nga Wizz Air sot ne Rinas 3 pjestare familje 135€ zhvatje, ju lutem publikoje kete problem se eshte shume serioz. Kompania nuk japin akses ne App, i drejtojne njerzit tek check in, desk per me u kerku lek me nje pseudo fature. Ju lutem publikojeni kete vjedhje. Ju lutem publikoheni qe te vihet shteti ne levizje per kete vjedhje se do behet rruge...Ja kan marre babit tim faturen e klientit si me stil po punonjesit e aeroportit se nuka isha un personalisht.. Por mund te ju dergoj nje screenshot me fluturimin personal me kod konfirmimi qe Wizz Air ka heq aksesin per te bere Check in oniline per ti sjell delet tek tavolina.. a e kuptoni skemen. Bileta e kthimit po i njejti problem!!! Kam mbi 20 fluturime dhe sme ka ndodh kurre! U shokova qe me than familjret qe kemi paguar 45€ per person

Denoncimet vijojnë.

Në 6 qershor të vitit 2023, dy qytetarë rrëfyen sorollatjen që kjo kompani u kishte bërë. Pasagjerët që do të udhëtonin me "Wizz Air” janë bllokuar në aeroportin e Romes Fiumicino prej 12 orësh për shkak të shtyrjes së orarit të fluturimit.

Fluturimi Fiumicino-Tiranë është vonuar dhe udhëtarët kanë pritur 12 orë në aeroport, për shkak se sipas kompanisë, ka pasur një problem me sistemin, por punonjësit e aeroportit në Itali avioni Wiz Air është bllokuar pasi ka shkuar pa autorizimin e furnizimit me karburant.

Fëmijë, gra e të moshuar kanë pritur për 12 orë, pa u marrë asnjë masë kundrejt kompanisë në fjalë.

Më 22 shtator të vitit 2023, kompania “Wizz Air” anuloi fluturimin nga Athina për në Tiranë, në mënyrë të paprecedentë.

Kush mban përgjegjësi për humbjen e parave të biletave që ishin rezervuar?

Si u trajtua ky rast?

Në 28 nëntor, po të vitit që lamë pas, në një prej fluturimeve të Wizz Air, nga Franca drejt Shqipërisë janë shënuar vonesa në nisje të avionit, për shkak se stafi ka pritur pasagjerë të tjerë, edhe pse kishte kaluar afati i parashikuar për udhëtimin.

“Ju duhet të jepni lajmin aty se pasagjerët janë të irrituar dhe nuk duan të presin askënd. Janë të lodhur dhe duan që të ikin në shtëpi. Ne nuk jemi të detyruar që të presim askënd”, shpreheshin pasagjerët e irrituar.

Ndërkohë që nga stafi në avion, nuk jepet asnjë shpjegim më tej, se përse vonesa ishte duke ndodhur, përveç justifikimit për pritjen e disa pasagjerëve të tjerë.

Edhe ky rast u neglizhua.

Më 25 mars të vitit 2024, 150 pasagjerë që duhet të ktheheshin me kompaninë Wizz AIR në Tiranë, prej disa orësh janë lënë në mëshirë të fatit në aeroportin e Pragës. Qytetarët e kanë ngritur shqetësimin e tyre pranë redaksisë së ZËRIT, ndërsa deklaruan se nuk iu është dhënë asnjë përgjigje nga kompania për vonesën, dhe për kohën e mbërritjes më Tiranë.

Telasheve me fluturimet me kompaninë Wizz AIR, nuk iu ka shpëtuar as këngëtari Luiz Ejlli, i cili teksa ka qenë duke udhëtuar nga Anglia për në Rinas, ka përfunduar në Shkup. Avioni me të cilin ai udhëtonte nuk është ulur dot në aeroportin e Rinasit, dhe pas ecejakeve në ajër, është ulur në aeroportin e Shkupit në Maqedoni. Vetë Luizi ka treguar momentet e panikut, ndërsa tregon se në ndihmë me transportin i kanë ardhur miq të tij.

“Mbrëmë kam parë hata me sy, jo vetëm unë por të gjithë ata që ishin, o Zot faleminderit. Kishte shumë turbulenca dhe nuk u ul dot në Tiranë. U ul në Shkup”, tregonte Luzi përmes një videoje në rrjetet sociale.

Gjithashtu, në videot e publikuara në kanalin zyrtar të ZËRI-t në Tik Tok, shumë qytetarë ngrenë shqiptësimet e tyre lidhur me këtë kompani. Njëri tregon që ka humbur 350 euro dhe se “Wizz Air” nuk i ka kthyer asnjë qindarkë, ndërsa të tjerë bëjnë thirrje për denoncime.

“Wizz Air” si linjë urbani! Si la qindra pasagjerë

“Wizz Air” si linjë urbani! Si la qindra pasagjerë

“Wizz Air” si linjë urbani! Si la qindra pasagjerë

“Wizz Air” si linjë urbani! Si la qindra pasagjerë

Më 12 mars, kompania ‘Wizz Air’ u ‘shpall’ nga media britanike “Which?” si kompania më e keqe në Mbretërinë e Bashkuar, bazuar në vlerësimin e dhënë nga udhëtarët. Qindra pasagjerë në vendin tonë dhe mijëra në të gjithë botën, ankohen çdo ditë për anullime dhe vonesa të gjata, për qëndrime për orë të tëra në aeroport, për moskompensim, vjedhje apo ndryshimeve të destinacioneve. Kjo pasohet me një kosto të madhe, si prishje të planeve të qytetarëve dhe para të çuara dëm duke sjellë humbje për xhepat e pasagjerëve.

Vetë Autoriteti i Aviacionit Civil ka pranuar në një përgjigje për ZËRI-n se Wizz Air është operatori ajror me fluksin më të madh të fluturimeve, por edhe me numrin më të madh të anulimeve të kryera.

Nisur nga ankesat e referuara në redaksi, ZËRI kërkoi përgjigje zyrtare, bazuar në ligjin nr.119/2014 për të drejtën e informimit nga Autoriteti i Aviacionit Civil, lidhur me fluturimet e anuluara dhe mënyrën se si asistohen apo kompensohen pasagjerët e afektuar nga këto anulime.

Të pyetur nëse në raste vonesazh apo anulimesh, kompanitë në fjalë kanë ndjekur të gjitha pikat që parashikon ligji kundrejt pasagjerëve, Autoriteti i Aviacionit Civil pretendon se monitoron në mnëyrë konsistente kompanitë dhe në rast se pasagjerët e operatorët ajrorë kanë mungesë dakortësie mbi terma të kontratës (biletës) së lidhur ndërmjet tyre, atëherë Autoritetit të Aviacionit Civil informon pasagjerin për mundësinë e ndjekjes së rastit të tij në instancat ligjore.

Vetë kompania Wizz Air ka bërë me dije se fluturimi nga Praga në Tiranë i cili ishte i planifikuar të nisej me 25 Mars, në ora 17:50 është vonuar pasi priste mbërritjen e pasagjerëve që po kalonin kontrollin e sigurisë, kontroll i cili ka pasur vonesa të konsiderueshme sipas kompanisë.

Por ky është vetëm një rast! Po me qindra denoncime të tjera çfarë ka ndodhur apo rastësitë e vonesave dhe anulimet aksidentale janë mallkimi i kësaj kompanie?

Poll

MOS HUMB