
TIRANË - Zamira Durda, e cila humbi djalin e saj 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit të 15 marsit 2008, ka dhënë një dëshmi prekëse në GJKKO, ku po merren në pyetje 14 dëshmitarë.
Durda, e cila tregoi momentin e shpërthimit dhe humbjen e djalit të saj, ka sjellë në gjykatë edhe dy fletoret e klasës së parë të djalit. Siç raporton "ReportTv", teksa trupa gjykuese i kërkoi llogari pse fletoret janë bosh, ajo tha se vendimin duhet ta shkruajnë aty.
E pyetur nga avokatët e Fatmir Mediut, Durda tha se nuk ka asgjë personale me ish ministrin, por e quajti ngjarjen e rëndë, një krim shtetëror.
“Gërdeci është krim shtetëror dhe përgjegjësi ka e gjithë piramida e shtetit. Nuk kam gjë personale me Fatmir Mediun”, tha Zamira Durda.
SPAK ka rihapur çështjen e Gërdecit, duke marrë të pandehur ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Në shpërthimin e Gërdecit, ndërruan jetë 26 persona. /Zëri.ai/