TIRANË- Në Tiranë zhvillohet protesta e 18-të e qytetarëve. Si çdo mbrëmje, qytetarët janë mbledhur fillimisht në sheshin 'Skënderbej', më pas nisën marshimin drejt Kryeministrisë.
Prej 18 ditësh me radhë, qytetarët shprehin pakënaqësitë e tyre dhe po kërkojnë ndryshime politike, duke përsëritur në mënyrë të vazhdueshme thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.
“Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Europe, can you hear us?”, “Anulo projektin”, ishin disa nga thirrjet e dëgjuara gjatë protestës, e cila vijon prej më shumë se dy javësh para godinës së qeverisë.
Ndërkohë, ditën e djeshme është njoftuar se orari i protestës është zhvendosur në orën 19:00 për shkak të temperaturave të larta gjatë ditës.
Revolta qytetare është përhapur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, po ashtu edhe në vendet të ndryshe të Europës dhe SHBA-së, ku diaspora shqiptare i është përgjigjur thirrjes që protesta të kalojë kufinjtë shqiptarë. Siç edhe çdo mbrëmje pas mbylljes së fjalimeve para zyrës së qeverisë, qytetarët vijojnë marshimin në disa zona të ndryshme të Tiranës./ZËRI