KOSOVË- Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë publike dje rezultatet e analizave laboratorike të 495 mostrave të marra gjatë një aksioni të gjerë kontrollesh në sektorin e qumështit në Kosovë. Nga verifikimet rezultoi se 93 mostra kishin mospërputhje me deklarimet në etiketë, ndërsa në 46 raste u konstatua prania e vajit të palmës të padeklaruar.
Mostrat janë marrë gjatë tre muajve të fundit te prodhues, përpunues, importues dhe tregtues të produkteve të qumështit në të gjithë Kosovën. Në listën e publikuar nga AUV përfshihen dhjetëra kompani dhe produkte, ku në disa raste analizat zbuluan praninë e vajit të palmës pa qenë i deklaruar në etiketë, ndërsa në raste të tjera u konstatuan mospërputhje të tjera me përbërësit e deklaruar.
Sipas drejtorit të AUV-së, Bekim Hoxha, pas përfundimit të analizave, autoritetet u kanë kërkuar operatorëve ekonomikë korrigjimin e etiketimit të produkteve, pajisjen me autorizimet përkatëse dhe ndarjen fizike të produkteve me bazë shtazore nga ato me bazë bimore. Për rastet ku janë konstatuar shkelje më të rënda, janë ndërmarrë edhe masa administrative.
Shkeljet janë evidentuar në produktet e këtyre kompanive:
Aldi- gjizë
Abi SHPK – krem i freskët dhe speca në krem
Abrazen – Holla Cream dhe qumësht
Ajka – ajkë Schmand
Anor – Double Cream
Best BT – margarinë
Bylmeti – krem për pite (vakum) dhe Schmand i freskët
Dauti – përgatitje ushqimore me yndyrë bimore
Delfini – Bianca, përgatitje ushqimore
Elkos – “Mrekullia nga Ajka” dhe margarinë
Gola – kos me kajmak
Grandi – margarinë Rosa
Natyra G – Double Cream
Korabi – pavllak
Magic Ice – gjizë
Teos – mazë tradicionale
Drena SHPK – mazë tradicionale
PRO EX – krem për pite, djathë krem, Krem Budget, gjizë dhe speca me ajkë
Viva Fresh (njësia 87) – krem për pite
Vizioni – pizza Gauda
Sipas AUV-së, në këto produkte janë konstatuar kryesisht raste të pranisë së vajit të palmës ose yndyrave bimore që nuk përputheshin me deklarimin në etiketë.
Megjithatë, pavarësisht se kontrollet përfshinë një numër të madh kompanish, vëmendja më e madhe publike është përqendruar te qumështorja “Vita”, pasi pikërisht inspektimi në këtë kompani u shndërrua në qendër të debatit për sigurinë ushqimore në Kosovë.
Gjithçka nisi më 2 korrik, kur inspektorët e AUV-së kryen kontrolle në fabrikën e qumështores “Vita” në Istog. Gjatë inspektimit u morën mostra të qumështit UHT, qumështit pluhur dhe lëndëve të para për analiza laboratorike. Pas këtij aksioni shpërtheu një përplasje e fortë mes drejtuesve të kompanisë dhe ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, me palët që shkëmbyen akuza për mënyrën se si u zhvilluan kontrollet dhe interpretimin e rezultateve.
Përtej rezultateve të analizave, vëmendja u përqendrua te “Vita” edhe për shkak të rolit të kompanisë në tregun e qumështit pluhur. Sipas të dhënave të AUV-së, kompania Abrazen SH.P.K., që zotëron markën “Vita”, është importuesi më i madh i qumështit pluhur të koncentruar në Kosovë.
Sipas të dhënave publike nga AUV-ja, gjatë periudhës 2022–2026, kompania ka importuar 3,447,590 kilogramë qumësht pluhur të koncentruar, ose rreth 45% të totalit të importeve, me një vlerë që tejkalon 6.2 milionë euro.
Menjëherë pas publikimit të rezultateve, reagoi edhe vetë kompania.
Qumështorja “Vita” kërkoi që AUV-ja dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, të publikojnë rezultatet e plota laboratorike, duke pretenduar se ato ende nuk i janë dorëzuar kompanisë, megjithëse kanë kaluar 33 ditë nga marrja e mostrave. Kompania deklaroi se të gjitha produktet e saj janë të etiketuara në përputhje me ligjin dhe garantoi se produktet e markës “Vita” prodhohen 100% nga qumështi i freskët i fermerëve kosovarë. /ZËRI