
SHBA- Këshilltari i sigurisë kombëtare Mike Waltz pritet të largohet nga administrata Trump në ditët në vijim. Lajmin e kanë bërë me dije 2 burime për median amerikane "CNN". Alex Wong, zëvendëskëshilltari i sigurisë kombëtare, dhe këshilltarë të tjerë të sigurisë kombëtare pritet gjithashtu të largohen nga posti që kanë marrë në fillim të janarit të këtij viti. I dërguari special Steve Witkoff, një zhvillues pasurish të paluajtshme dhe mik i Presidentit Donald Trump, është duke u konsideruar për të zëvendësuar Waltz si këshilltar i sigurisë kombëtare. Por ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar. Witkoff ka udhëhequr diskutimet me Rusinë dhe Iranin, dy vende prej të cilëve, Trump kërkon marrëveshje ndërkombëtare.
Trump e kishte menduar shkarkimin e tij pas incidentit, por nuk pranoi ta bënte sepse nuk donte t’u siguronte armiqve të tij "fitoren". Edhe pse pas skandalit të aplikacionit "Sigal", Trump e mendoi largimin e Waltz, sërish vendosi që ta mbante në detyrë. Por edhe pse Trump e mbrojti, reputacioni i Waltz nuk u rikuperua kurrë dhe ai humbi ndikimin te ndihmësit kryesorë brenda Krahut Perëndimor. Shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, privatisht ka qenë një nga zyrtaret që nuk ka qenë e "mahnitur" nga Waltz - edhe para fiaskos së Signal. Po ashtu, edhe vetë Trump ka shprehur zhgënjim me të në shumë fronte, përfshirë episodin e Signal. Ai ishte gjithashtu i irrituar që gara në Kongresin e Floridës për të zëvendësuar Waltz ishte më e ngushtë se sa pritej.
“Presidenti Trump humbi besimin tek ai pak kohë më parë,”-tha një burim.
Pas publikimit të lajmit, senatorët demokratë thanë se duhet të ishte sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, personi që duhej shkarkuar nga administrata Trump.
“Mendoj se po mbajnë përgjegjës personin e gabuar”, tha senatori demokrat i shtetit të Arizonës, Mark Kelly, për CNN. Ai tha se pjesa më shqetësuese e incidentit ishte Hegseth që ndau informacion tepër të ndjeshëm në lidhje me një goditje ndaj një aeroplanmbajtëseje, duke vënë pilotët në rrezik.
“Përgjegjësia nuk është tek këshilltari i sigurisë kombëtare. Ky është mendimi im. U habita kur e pashë këtë. Mendoj se pushuan nga puna personin e gabuar,”- tha ai.
I pyetur nëse është i kënaqur që dikush po mbahet përgjegjës për bisedën në grup që zbulon plane të detajuara ushtarake, senatori demokrat i Connecticut, Richard Blumenthal, u përgjigj: Pyetja është nëse personi i duhur po mbahet përgjegjës. Duhet të ketë përgjegjësi për gabimet që janë bërë, por mendoj se sekretari i mbrojtjes duhet ta mbajë këtë përgjegjësi. Ai duhet të shkarkohet.
Ndërkohë, senatori republikan i Montanës, Tim Sheehy, tha: Nëse Mike largohet, ky është vendim i presidentit dhe ne e mbështesim këtë. Sinqerisht, jam i lodhur duke dëgjuar për Signal.
Me largimin e tij, Waltz është anëtari i parë i ekipit të lartë udhëheqës të Trump që largohet në mandatin e dytë të presidentit Trump. Waltz krijoi grupin e bisedës Signal, në të cilin u shtua pa dashje një gazetar, ku zyrtarë të lartë planifikonin sulme ushtarake në Jemen. Pas skandalit, Ekipi i Trump më parë minimizoi ngjarjen duke u shprehur se asnjë material i klasifikuar nuk u nda në bisedë./ZËRI