
PRISHTINË- Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka akuzuar Serbinë se nuk ka interes që të normalizojë raportet me Kosovën. Sipas MPJD, Serbia e tregoi qëndrimin e saj, pas reagimit që bëri kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës më datë 26 mars nga Kenia.
“Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha instuticioni.
Kenia njohu pavarësinë e Kosovës më 27 mars, por menjëherë pas kësaj reagoi Serbia, e cila tha se ky vendim përbën “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën garantohet në mënyrë të qartë sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Serbisë”.
“Dje erdhi lajmi se Kenia njohu të ashtuquajturën Kosovë, njohja e parë në pesë vjet. Çuditërisht apo jo, pranimi i fundit ndodhi edhe gjatë mandatit të presidentit amerikan Donald Trump. Në fillim të vitit thamë se në periudhën e ardhshme, dy shtete të mëdha se Serbia mund të tërhiqnin njohjen. Çfarë ndodhë më pas, a do të përgjigjet Serbia, a do t’iu kërkojmë të tërhiqen nga njohja? Ne u përpoqëm dhe luftuam në çdo mënyrë për ta ndalur. Ata kanë punuar në Kenia për dy vjet e gjysmë dhe disa vende të Evropës Perëndimore kanë punuar për njohjen. Ata po punonin edhe për këtë në lidhje me rastin e Srebrenicës. Pastaj arritëm të bindnim Kenian që mos ta bënte, që ishte një surprizë e madhe. Më pas fola me William Ruto, njeriun që zëvendësoi Presidentin Kenyatta. Unë fola me të në New York, iu luta të mos e bënte këtë, edhe pse e dija se sa presion kishin për të bërë diçka të tillë. Kenia e njohu, dhe ju patë aktorin kryesor në atë që ndodhi. Ishte një disfatë nga njëra anë, por mos harroni për vendet e mëdha perëndimore, të Evropës Perëndimore, veçanërisht ato që ndihmuan në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Jam krenare për faktin se, në kohën që kam qenë kryeministër apo president i shtetit, 28 shtete e kanë tërhequr atë njohje, ndryshe nga ata që më së shumti synojnë të na sulmojnë, në kohën e tyre 92 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pra fajtore ishte edhe Tamara që ishte në Kenia pesë muaj më parë, gjë që është aq budalla sa nuk kam fjalë,"- tha Vuçiç.
Kjo deklaratë u cilësua nga autoritetet e Kosovës si një kërcënim i drejtpërdrejtë dhe alarmues. Vetë, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron si pjesë të saj.
“Duke deklaruar se do ta mbrojë ‘me vendosmëri më të madhe’ sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po sinjalizon sërish gatishmërinë e saj për agresion”, tha MPJD, duke iu kërkuar ndërkombëtarëve që t’i marrë seriozisht këto kërcënime.
“Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë ashpër retorikën agresive të Serbisë dhe shkeljet e saj të vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit detyrime që, siç kanë deklaruar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari në largim gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, përbëjnë një njohje de facto të Kosovës”, thuhej në deklaratë.
MPJD në deklaratë nënvizon se Serbia po shpërfill zotimet e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, që palët arritën më 2023, përmes refuzimit “të njohjes së Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare”. Kosova tha se Serbia nuk po e respekton vendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 2010 doli në përfundim se pavarësia e Kosovës, e shpallur më 2008 – nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Serbisë përmes një deklarate pretendoi se në 8 vitet e fundit 28 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës./ZËRI