IRAN-Kanë hyrë në ditën e tretë sulmet e përbashkëta Izrael-SHBA ndaj Iranit. Më shumë se tridhjetë të vdekur raportohen në Bejrut, ndërsa Teherani vazhdon hakmarrjen kundër vendeve që i konsideron armiqësore.
Edhe Izraeli është nën sulm, ku një raketë iraniane goditi dje një pallat banimi, duke vrarë nëntë persona. Ndërkohë shpërthime janë raportuar në të gjithë Gjirin Persik. Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se tre persona janë vrarë që nga e shtuna në sulmet hakmarrëse të Iranit.
Në konflikt është përfshirë edhe Libani. Në orët e para të së hënës, Izraeli nisi sulme ndaj objektivave që i cilësoi si të Hezbollahut në Liban, pasi grupi militant qëlloi me raketa drejt territorit izraelit.
Zyrtarët iranianë raportuan se të paktën 153 persona u vranë pas një sulmi në një shkollë vajzash. Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, e cilësoi incidentin si një “akt barbar”.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në një video se “operacionet luftarake” kundër Iranit do të vazhdojnë “derisa të arrihen të gjitha objektivat tona”, duke paralajmëruar se mund të ketë më shumë viktima amerikane. Trump parashikon se silmet mund të zgjasin deri në katër javë.
"Gjithmonë e kemi konsideruar si një proces katërjavor. Është një vend i madh, do të duhen katër javë ose edhe më pak”, tha ai.