Bota

“Do të doja të mos isha gjallë”/ Flet i mbijetuari i vetëm i rrëzimit të aeroplanit 'Air India'

Vishwash, i mbijetuari i vetëm i rrëzimit, tregoi se si po shërohet në qytetin e tij të lindjes, Diu, ndërsa përballet me dhimbjen e humbjes së vëllait të tij.

k.m.
“Do të doja të mos isha gjallë”/ Flet i mbijetuari i
Vishwash Kumar Ramesh

INDI- Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç, arriti të shpëtonte nga avioni Boeing 787 që u rrëzua në Ahmedabad të Indisë, por vëllai i tij Ajay Kumar Ramesh, i cili ishte në të njëjtin fluturim, humbi jetën menjëherë pas përplasjes. Në një intervistë me "The Sun", Vishwash, i mbijetuari i vetëm i rrëzimit, tregoi se si po shërohet në qytetin e tij të lindjes, Diu, ndërsa përballet me dhimbjen e humbjes së vëllait të tij.

"Është një mrekulli që mbijetova. Jam mirë fizikisht, por ndihem tmerrësisht keq që nuk arrita ta shpëtoj Ajay-n,"- i tha ai medias britanike. Tragjedia mori një dimension personal për shkak të një rrethane që dukej e parëndësishme para incidentit: një ndryshim në vendet e uljes gjatë rezervimit. Vëllezërit ishin përpjekur të uleshin së bashku në rreshtin 11 , pranë daljeve të emergjencës. Megjithatë, në kohën kur rezervuan, disa vende ishin tashmë të zëna. Vishwash u vendos në rreshtin 11A dhe Ajay në rreshtin 11J dhe të dy ndaheshin nga korridori. 

"Nëse do të ishim ulur bashkë, të dy mund të kishim mbijetuar. Unë dhe Ajay do të kishim qëndruar krah për krah, por e humba atë para syve të mi. Tani mendoj vazhdimisht: ‘Pse nuk munda ta shpëtoja vëllain tim?’,-shtoi ai. 

Vishwash dhe vëllai i tij po ktheheshin në Mbretërinë e Bashkuar pas një qëndrimi në Indi për sezonin e peshkimit.

"Ndjeva sikur diçka kishte ngecur dhe dritat filluan të dridheshin. E gjitha ndodhi brenda sekondash. E kuptova se po rrëzoheshim", tha i mbijetuari për The Sun.

Afërsia e tij me daljen e emergjencës rezultoi vendimtare. Ai arriti të zgjidhte rripin e sigurimit dhe të zvarritej për të dalë jashtë. 

"E përdora këmbën time për të hapur derën dhe dola. Të gjithë përreth meje kishin vdekur ose ishin duke vdekur. Ende nuk e kuptoj se si shpëtova,"- shpjegoi ai për mediat britanike.

Pasi zbriti nga avioni, Vishwash u përpoq të kthehej për të gjetur vëllanë e tij. Dëshmitarë dhe shpëtues panë përpjekjen e tij të dëshpëruar për t'u rihyrë në avionin që po digjej. Por për të vëllanë e tij ishte tepër vonë./ZËRI

Poll

MOS HUMB