SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të programit të lotarisë së “Green Card”, të njohur ndryshe dhe si Lotaria Amerikane.
Kjo për shkak se autoritetet konfirmuan se autori i dyshuar i sulmeve vdekjeprurëse në Broën University dhe Massachusetts Institute of Technology (MIT) kishte hyrë dhe marrë rezidencë të përhershme në SHBA përmes këtij programi.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, bëri të ditur vendimin përmes një postimi në rrjetin social X, duke theksuar se pezullimi është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit Trump.
“Ky individ i tmerrshëm nuk duhej të ishte lejuar kurrë të hynte në vendin tonë”, deklaroi Noem, duke iu referuar të dyshuarit, shtetasit portugez Claudio Neves Valente.
Neves Valente, 48 vjeç, dyshohet se qëndron pas të shtënave në Broën University, ku humbën jetën dy studentë dhe u plagosën nëntë të tjerë, si dhe pas vrasjes së një profesori të MIT-it.
Autoritetet amerikane njoftuan se ai u gjet i pajetë mbrëmjen e së enjtes, me dyshime se ka kryer vetëvrasje.
Sipas dokumenteve hetimore, Valente kishte studiuar në Broën University që prej vitit 2000 me vizë studentore.
Në vitin 2017, ai përfitoi një vizë emigrimi përmes programit të diversitetit (Diversity Visa Lottery) dhe pak muaj më vonë mori statusin e rezidentit të përhershëm.
Ende mbetet e paqartë se ku ka qëndruar ai gjatë periudhës midis largimit nga universiteti dhe pajisjes me vizë emigrimi.
Programi i lotarisë së vizave u krijua nga Kongresi amerikan dhe ofron deri në 50 mijë “Green Card” çdo vit për shtetas nga vende me përfaqësim të ulët emigrantësh në SHBA, kryesisht nga Afrika dhe disa vende evropiane.
Për vitin 2025, rreth 20 milionë persona aplikuan, ndërsa më shumë se 131 mijë u përzgjodhën, duke përfshirë edhe familjarët.
Nga ky vendim preket edhe Shqipëria, pasi shumë qytetarë shqiptarë aplikojnë çdo vit për këtë program, në kërkim të ëndrrës amerikane. /ZËRI