Bota

Foshnja merret nga e ëma sapo lind, testet e ndaluara për grenlandezët përdoren sërish në Danimarkë

Një nënë e re me prejardhje grenlandeze është ndarë nga foshnja e saj vetëm një orë pas lindjes, pasi autoritetet daneze e vlerësuan si të papërshtatshme për të qenë prind, bazuar në teste psikologjike që janë ligjërisht të ndaluara për njerëz me sfond nga Grenlanda.

f.g

 

Foshnja merret nga e ëma sapo lind, testet e ndaluara për
Ivana me te bijen

 

Një nënë e re me prejardhje grenlandeze është ndarë nga foshnja e saj vetëm një orë pas lindjes, pasi autoritetet daneze e vlerësuan si të papërshtatshme për të qenë prind, bazuar në teste psikologjike që janë ligjërisht të ndaluara për njerëz me origjinë nga Grenlanda.

Ivana Nikoline Brønlund, 18 vjeçe, lindur në Nuuk nga prindër grenlandezë dhe ish-lojtare e ekipit të hendbollit të Grenlandës, solli në jetë vajzën e saj, Aviaja-Luuna, më 11 gusht në një spital afër Kopenhagës, ku jeton me familjen.

Vetëm një orë pas lindjes, autoritetet komunale e morën foshnjën në kujdestari, duke e vendosur në një familje tjetër. Që nga ajo ditë, Brønlund thotë se ka mundur ta shohë vajzën vetëm një herë, për një orë, pa leje për ta përqafuar apo për t’i ndërruar pelenën.

Autoritetet e bazuan vendimin në rezultatet e një testi për vlerësimin e kompetencës prindërore (FKU) – një metodë standarde, por shumë e kontestuar, e cila është ndaluar që prej majit 2025 për personat me origjinë grenlandeze, për shkak se është vlerësuar si e padrejtë dhe kulturore e papërshtatshme për komunitetin inuit.

Megjithatë, autoritetet i thanë Brønlund-it se ajo “nuk ishte mjaftueshëm grenlandeze” që ndalimi i ligjit të zbatohej në rastin e saj, pavarësisht se ajo ka lindur në Grenlandë dhe ka prindër grenlandezë.

Ministrja daneze e Çështjeve Sociale, Sophie Hæstorp Andersen, reagoi ndaj rastit duke shprehur shqetësim të thellë dhe ka kërkuar një shpjegim urgjent nga komuna e Høje-Taastrup, e cila mori vendimin për ndarjen e foshnjës nga nëna. “Ligji është i qartë – testet standarde nuk duhet të përdoren në raste që përfshijnë familje me sfond grenlandez,” deklaroi ajo.

Rasti ka shkaktuar protesta në Grenlandë, ndërkohë që tubime të tjera janë paralajmëruar në qytete si Nuuk, Kopenhagë, Reykjavík dhe Belfast, ku mbështetësit kërkojnë drejtësi për Brønlund dhe kthimin e vajzës së saj.

Autoritetet lokale kanë pretenduar se ndarja ishte e nevojshme për shkak të traumës që Brønlund ka kaluar në të shkuarën, pasi është abuzuar seksualisht nga babai i saj adoptues, i cili tashmë ndodhet në burg. 

Autoritetet lokale filluan testimin e saj në prill, pas një njoftimi të bërë në janar se ndalimi i këtyre testeve do të hynte në fuqi. Testet përfunduan në qershor, në një kohë kur ligji tashmë ishte në fuqi. Brønlund u informua tre javë para lindjes se fëmija i saj do t’i merrej.

Komuna ka refuzuar të komentojë, duke thënë se është e detyruar të ruajë konfidencialitetin. Megjithatë, ka pranuar se ka pasur mangësi në procedurat e ndjekura dhe ka deklaruar se po përpiqet të sigurojë respektimin e të drejtave ligjore të familjes dhe të gjejë “zgjidhjen më të mirë të mundshme”.

Brønlund i tha The Guardian:
“Nuk doja të lindja, sepse e dija çfarë do të ndodhte më pas. E mbaja foshnjën pranë vetes kur ishte ende në bark, ishte mënyra e vetme për të qenë afër saj. Ishte një kohë jashtëzakonisht e vështirë dhe e tmerrshme.”

Ajo tha se takimi i saj i parë me vajzën, këtë javë, u ndërpre para kohe, sepse foshnja dukej e lodhur dhe e mbistimuluar.

“Zemra m’u thye kur punonjësja mbikëqyrëse ndaloi takimin. U ndjeva shumë keq, qava jashtë dhe në makinë. U desh të largoheshim shumë shpejt,” tha ajo me lot në sy. “Zemra ime është e thyer. Nuk e di çfarë të bëj pa të.”

Brønlund lejohet ta shohë vajzën e saj vetëm një herë në dy javë, për dy orë, dhe gjithmonë nën mbikëqyrje. Apeli i saj do të dëgjohet më 16 shtator.

Nëna adoptuese e Brønlund, Gitte, e cila është gjysmë grenlandeze dhe ka jetuar në Grenlandë deri në moshën 37-vjeçare, tha:
“Ndihesh sikur nuk ke të drejtë të kesh një traumë nëse do të bëhesh nënë.”

Aktivistët kanë bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga qeveria daneze për të ndihmuar Brønlund. Dida Pipaluk Jensen, një nga organizatoret e një proteste të planifikuar jashtë ambasadës daneze në kryeqytetin islandez më 18 shtator, e quajti përdorimin e këtyre testeve ndaj njerëzve me prejardhje grenlandeze si “tronditës”.

Protestuesit kanë shprehur mbështetje edhe për një tjetër nënë grenlandeze, Keira Alexandra Kronvold, rasti i së cilës shkaktoi reagim të madh ndërkombëtar pasi autoritetet daneze i morën vajzën Zammi dy orë pas lindjes. Ato vazhdojnë të jenë të ndara edhe sot.

Duke folur për rastin e Brønlund, Jensen tha: “Një nga arsyet që komuna dha për marrjen e vajzës ishte trauma e kaluar në jetën e Ivanës. Por kjo është kaq e padrejtë, nuk mund ta ndëshkosh për diçka që nuk është faji i saj.” 

Në Danimarkë, testet për vlerësimin e kompetencës prindërore (Forældrekompetenceundersøgelse – FKU) përdoren nga autoritetet sociale për të vlerësuar nëse një prind është i aftë të kujdeset për fëmijën e tij. Këto teste përfshijnë intervista, vëzhgime, analizë të historikut personal dhe vlerësime psikologjike. Edhe pse synimi i tyre është mbrojtja e mirëqenies së fëmijës, ato janë kritikuar për mënyrën e përdorimit, sidomos ndaj prindërve me prejardhje grenlandeze, pasi nuk marrin parasysh sfondin kulturor dhe shpesh penalizojnë ata që kanë përjetuar trauma. Për këtë arsye, Danimarka ndaloi përdorimin e tyre në mënyrë standarde për qytetarët me sfond grenlandez, duke kërkuar që në këto raste të përdoret një njësi e veçantë këshilluese, e quajtur VISO./ZËRI

Poll

MOS HUMB