KOSOVË- Ka dështuar edhe seanca e sotme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Hekuran Murati dhe Arbëria Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje s’arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi sërish Hekuran Muratin, por nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit. Murati mori vetëm 55 vota pro, 46 kundër dhe 5 abstenime.
Po ashtu, as e propozuara e dytë e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, nuk mori besimin e deputetëve për t’u zgjedhur me 55 vota pro, 47 kundër dhe 4 abstenime.
Ky ishte vazhdimi i tretë i seancës konstituive që nga publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht. Ndërsa kryesuesi i seancës Avni Dehari njoftoi se seanca e radhës do mbahet më 26 gusht, në orën 11:00./ZËRI