HAGË- Gjykata Speciale i ka rrëzuar kërkesën për lirim me kusht nga paraburgimi ish-presidentit Hashim Thaçi. Mësohet se ky vendim vjen për shkak se ekziston rreziku i arratisjes së Thaçit, edhe pse garancia për lirimin me kusht ishte 50 mijë euro. Gjyqtari Gosnell ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin ish-presidentit deri në tetor, edhe pse e ka vlerësuar si pozitive garancinë financiare të ofruar nga vëllai dhe dy miq të Thaçit.
“Siguria financiare prej 50,000 eurosh e ofruar nga familja dhe miqtë, subjekt i sekuestrimit në rast të mosparaqitjes në seanca, e zvogëlon edhe më tej një rrezik të tillë (rrezikun e arratisjes)”, është shprehur gjyqtari, raporton Klan Kosova.
Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, pritet të dalin para Dhomave të Specializuara më 16 shtator, kur do të shpallet aktgjykimi përfundimtar në procesin gjyqësor që ka zgjatur mbi tre vjet.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ndërsa Prokuroria i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar. Sipas aktakuzës, të akuzuarit mbajnë përgjegjësi edhe për veprimet e personave nën komandën e tyre. Gjatë procesit gjyqësor janë shqyrtuar qindra prova dhe janë dëgjuar dëshmitarë nga të dyja palët./ZËRI
