Bota

Ish-krerët e UÇK-së në Hagë në' kilometrin e fundit' të gjykimit, Prokuroria: Të dënohen me 45 vite burg

Dhënia e deklaratave përmbyllëse do të përfundojë më 18 shkurt.

F.I
Ish-krerët e UÇK-së në Hagë në' kilometrin
ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

HAGË- Sot ka nisur paraqitja e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale të Hagës. Dhënia e deklaratave përmbyllëse do të përfundojë më 18 shkurt.

-Më 11 shkurt pritet të bëhet deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së Kadri Veselit, e cila do të vazhdojë më 12 shkurt dhe po në këtë datë do të bëhet edhe deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së Rexhep Selimit.

-Deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së Rexhep Selimit pritet të vazhdojë edhe më 13 shkurt dhe po në këtë datë do të bëhet edhe deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

-Kurse, deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së Jakup Krasniqit do të vazhdojë më 16 shkurt dhe pyetjeve të mundshme nga trupi gjykues. Ndërsa më 18 shkurt priten përgjigjet nga palët dhe deklaratat nga të akuzuarit.

Seanca nisi në orën 10:00 dhe në sallë janë të katër ish-krerët e UÇK-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi. Prokurorja e Specializuar, Kimberly West kërkoi 8 orë për shpalosjen e deklaratave.  Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 kampe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së", u shpreh prokurorja. 

Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.

“Në mënyrë që ta arrinin qëllimin e tyre, këta persona të akuzuar kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në gjithë Kosovën”, tha Prokurorja.

Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por vetëm për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim në total për 4 ish-krerët e UÇK-së. 

Sipas Prokurorisë së Specializuar, ata akuzohen për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjet e paligjshme, si dhe për krime kundër njerëzimit, si burgosja, aktet çnjerëzore, zhdukjet me forcë dhe përndjekjet. Pretendohet se këto krime janë kryer gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Aktakuza ndaj katërshes u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor të po atij viti, ditë kur të akuzuarit u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas kësaj pasoi faza paraprake, e cila përfshiu konferenca të shumta statusore dhe shkëmbim të provave dhe materialeve mes palëve.

Gjykimi i mirëfilltë nisi më 3 prill 2023. Për tri ditë radhazi u mbajtën deklaratat hyrëse. Prokuroria dhe Mbrojtësi i Viktimave argumentuan se të akuzuarit ishin pjesë e asaj që ata e quajtën “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, e cila, sipas tyre, kishte për qëllim shënjestrimin e kundërshtarëve të perceptuar të UÇK-së, përfshirë edhe shqiptarë të Kosovës.

Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, deklaroi në hapje të gjykimit se “shumica e viktimave ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës”, duke shtuar se të pandehurit, sipas Prokurorisë, kishin zbatuar një politikë që shpesh dëmtonte edhe njerëzit e tyre. Nga ana tjetër, ekipet mbrojtëse, në deklaratat e tyre hyrëse më 4 dhe 5 prill 2023, hodhën poshtë këto pretendime, duke theksuar se UÇK-ja nuk kishte një komandë të centralizuar dhe se nuk mund të flitet për një ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Në këtë fazë u deklarua edhe vetë Hashim Thaçi, i cili theksoi se gjatë këtij procesi është vërtetuar se nuk ka pasur trafikim organesh dhe se ashtuquajtura “Shtëpia e Verdhë” nuk ka ekzistuar. Ai tha se raporti i vitit 2011 i Këshillit të Evropës, i bazuar në pretendimet e ish-senatorit zviceran Dick Marty, kishte hedhur një “re të zezë” mbi Kosovën, e cila sipas tij tashmë është larguar.

Që nga prilli i vitit 2023 e deri në dhjetor 2025, në sallën e gjyqit janë paraqitur prova të shumta dhe janë dëgjuar dhjetëra dëshmitarë. Në këtë rast janë regjistruar rreth 155 viktima pjesëmarrëse. Prokuroria ka thirrur 125 dëshmitarë për të dëshmuar drejtpërdrejt, ndërsa 117 të tjerë kanë dhënë dëshmi me shkrim. Një nga dëshmitë më të komentuara ishte ajo e Fadil Gecit, i cili në tetor 2024 deklaroi në Hagë se Hashim Thaçi, sipas tij, kishte pasur qëllim shfarosjen e familjes së tij, deklaratë që u kundërshtua ashpër nga mbrojtja.

Me nisjen e deklaratave përmbyllëse, vëmendja tani është përqendruar te argumentet finale të palëve.

Poll

MOS HUMB