
TEL AVIV- Izraeli nisi sulme ndaj Teheranit në mëngjes dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme! Sipas mediave shtetërore iraniane, disa zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë dhe shkencëtarë bërthamorë u vranë në operacionin izraelit, i cili kishte për qëllim parandalimin e përparimit të programit bërthamor të Iranit.
Deri më tani, personat e mëposhtëm janë konfirmuar të vdekur:
Hossein Salami, komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC)
Gholamali Rashid, Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Khatam-al Anbiy
Ferajdoun Abbasi, shkencëtar bërthamor dhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit
Mohammad Mehdi Teheranchi, një fizikant bërthamor i lidhur me programin e zhvillimit të armëve bërthamore të Iranit
Mohammad Bagheri, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit
Gjithashtu, sipas burimeve iraniane, Ali Shamkhani, një këshilltar i lartë i Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei, u plagos rëndë.
PAMJET E SULMIT:
View this post on Instagram
Pas aksionit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se objektivat ishin impiantet bërthamore. Ai tha se operacioni i koduar "Luani në Ngritje" do të zgjaste disa ditë dhe kishte për qëllim të zmbrapste kërcënimin iranian ndaj ekzistencës së Izraelit. Ndërkohë, udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, kërcënoi me hakmarrje. Në gjithë këtë kaos janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi Donald Trump tha se SHBA-të do të mbrojnë veten dhe Izraelin. Megjithatë pati edhe një sqarim. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se Shtetet e Bashkuara nuk morën pjesë në sulmet ndaj Iranit. Po ashtu i kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre në Iran që të largohen sa më parë nga vendi.
“Për shkak të situatës aktuale të sigurisë, Ambasada Amerikane ka urdhëruar të gjithë zyrtarët e qeverisë amerikane dhe anëtarët e familjeve të tyre të evakuohen deri në njoftim të mëtejshëm,”- thuhet në deklaratë të Ambasadës Amerikane.
Ndërkohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Izraelite, Eyal Zamir, u tha ushtarëve: Ne nuk ju premtojmë vetëm sukses. Përgjigja do të jetë ndryshe nga çdo gjë që kemi parë më parë. Ne jemi gati të mbrohemi!
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei tha: Sot në agim, regjimi zionist kreu një krim në vendin tonë të dashur me duart e tij satanike dhe të përgjakshme. Ky regjim duhet të presë një ndëshkim të rëndë. Me hirin e Zotit, dora e fuqishme e Forcave të Armatosura të Republikës Islamike nuk do t'i lërë ata pa u ndëshkuar. Me këtë krim, regjimi zionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm.
Britania e Madhe nuk do të ndërhyjë për të mbrojtur Izraelin nëse Irani hakmerret për sulmet e mbrëmshme, njoftoi redaktori i mbrojtjes i gazetës britanike "The Times", por pa cituar burime. Kryeministri britanik Keir Starmer u bëri thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje dhe të kthehen në një zgjidhje diplomatike.
Turqia dënoi sulmin ajror të Izraelit ndaj Iranit.
"Ne i dënojmë sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit me termat më të ashpra të mundshme. Ky sulm, i cili shkel qartë ligjin ndërkombëtar, është një provokim që i shërben politikës strategjike të destabilizimit të Izraelit në rajon. Fakti që sulmet ndodhën në një kohë kur negociatat mbi programin bërthamor të Iranit po intensifikohen tregon se qeveria Netanyahu nuk dëshiron të zgjidhë asnjë çështje me mjete diplomatike dhe nuk heziton të rrezikojë stabilitetin rajonal dhe paqen botërore në përputhje me interesat e veta. Izraeli duhet t'i japë fund menjëherë veprimeve të tij agresive që mund të çojnë në konflikte më të mëdha. Ne përsërisim se nuk duam të shohim më shumë gjak dhe shkatërrim në Lindjen e Mesme,"-lajmëroi Turqia.
Irani ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të sulmeve izraelite, por data ende nuk është caktuar.
Korrespondenti i BBC-së në Jerusalem raporton se izraelitët kanë filluar të blejnë ushqim dhe ujë masivisht, duke zbrazur raftet e supermarketeve. Shërbimet e urgjencës në të gjithë Izraelin po grumbullojnë gjak, ndërsa disa spitale kanë filluar të nxjerrin pacientë në gjendje të qëndrueshme, në mënyrë që të lirojnë kapacitetin.
Kryeministri izraelitBenjamin Netanyahu ka informuar disa prej partnerëve më të rëndësishëm në botë për sulmet që do të kryente vendi i tij në Iran. Ndër këto vende ka qenë edhe Gjermania. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se është informuar me telefon në lidhje me veprimet ushtarake dhe objektivat që do të goditeshin në Iran.
Ndërkohë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) bën të ditur se objekti iranian i pasurimit të uraniumit në Fordo nuk është prekur nga sulmet izraelite deri tani. Agjencia me seli në Vjenë bëri të ditur se objekti ndodhet afërsisht 150 kilometra në jug të kryeqytetit Teheran.
Por çfarë do ndodhë tani?
Izraeli vazhdon sulmet, Irani hakmerret me të gjitha fuqitë e tij, SHBA-të ndërhyjnë në mbrojtje të Izraelit dhe Irani zgjeron sulmet e tij ndaj aleatëve të SHBA-së. Sipas ekspertëve, kjo është një "rrugë konflikti e parashikueshme". Por luftërat shpesh sjellin pasoja të paparashikuara. Çdo fazë e përshkallëzimit mbart rrezikun e ngjarjeve që mund ta përkeqësojnë më tej situatën. Prandaj, ditët në vijim mund të sjellin një numër skenarësh të ndryshëm.
Si do t’i përgjigjet Irani Izraelit? Ja 5 skenarë të mundshëm
Skenari i parë: Irani hakmerret me sulme raketore ndaj bazave amerikane dhe Izraelit
Irani zotëron mijëra raketa me rreze të mesme veprimi të afta për të goditur bazat amerikane në të gjithë rajonin - duke përfshirë bazat në Irakun fqinj dhe bazën ajrore al-Udeid në Katar. Sot, sulmi mund të jetë shumë më i gjerë - duke synuar baza të shumta njëkohësisht, duke përdorur aleatët e Iranit dhe grupet e ndërmjetësuara në Irak dhe Jemen, gjë që do ta bënte më të vështirë kapjen e raketave.
Skenari i dytë: Irani sulmon fushat e naftës në rajon
Lindja e Mesme prodhon rreth 30 përqind të furnizimit botëror me naftë, kryesisht në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajt.
Skenari i tretë: Irani bllokon trafikun detar në Gjirin Persik
Gjiri Persik është thelbësor për transportin global të naftës - deri në 30 përqind e furnizimit botëror kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit. Një konflikt mund të paralizojë trafikun detar përmes kësaj rruge. Agjencia britanike detare UKMTO (Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar) ka lëshuar tashmë një paralajmërim për anijet në rajon që të jenë të kujdesshme. Në të kaluarën, Irani ka minuar dhe sulmuar anije në zonë për të ushtruar presion mbi shtetet e Gjirit dhe SHBA-në.
Skenari i katërt: Irani sulmon drejtpërdrejt Izraelin
Irani më parë ka kërcënuar me sulme të reja ndaj Izraelit nëse forcat izraelite sulmojnë objektet e tij bërthamore. Në tetor, në përgjigje të bombardimeve izraelite të objekteve iraniane të mbrojtjes raketore dhe ajrore, Irani qëlloi një breshëri raketash drejt Izraelit. Shumica e këtyre raketave u kapën nga mbrojtja ajrore izraelite me ndihmën e SHBA-së, Britanisë dhe Francës, por disa raketa prapë goditën objektivin - ato ranë në aeroportin ushtarak ku ndodhet flota e avionëve luftarakë izraelitë F-35, vetëm disa qindra metra nga selia e shërbimit të inteligjencës izraelite Mossad.
Skenari i pestë: Aleatët e Iranit bashkohen në konflikt
Hezbollahu, një aleat iranian prej kohësh, ka luajtur një rol në pengimin e Izraelit nga sulmet për dekada të tëra, por grupi është dobësuar ndjeshëm, ashtu si edhe Hamasi në Gaza. Irani vazhdon të ketë mbështetje të fortë nga Huthitët në Jemen, të cilët qëllojnë rregullisht me raketa drejt Izraelit, si dhe nga grupet e armatosura të ndërmjetme në Irak, të cilët kanë sulmuar objektiva izraelite dhe amerikane në Irak dhe Siri.
Nëse Gjiri Persik shndërrohet në një fushë beteje, bota së shpejti do t'i ndiejë pasojat - jo vetëm politike, por edhe ekonomike./ZËRI