GREQI- Një tragjedi ka ndodhur në një familje në Patisia, Greqi, ku një nënë 34-vjeçare u gjet e vdekur në apartamentin e saj, pasi kishte lindur para kohe foshnjen që mbante në bark, e cila gjithashtu u gjet e pajetë. Kjo ishte lindja e tretë për gruan e ndjerë e cila kishte dy fëmijë, 5 dhe 3 vjeç, të cilët i kishte lindur në Spitalin "Aleksandra".
Megjithatë, në të tre shtatzënitë e saj, 34-vjeçarja kishte zgjedhur të mos ndiqej nga një gjinekolog pasi kishte fobi nga mjekët. Kur mbërriti data e lindjes, ajo shkoi e vetme në maternitet dhe lindi. Megjithatë, kjo fobi rezultoi fatale këtë herë pasi lindja erdhi para kohe, dhe çoi në vdekjen e saj dhe të foshnjes.
"Vajza ishte mirë, nuk kishte asgjë. Nuk ishte ndjekur me mjek gjatë shtatzënisë. Ishte pak e turpshme, nuk shkoi te mjeku. Kishte lindur dy herët e mëparshme në Alexandra", thotë tezja e 34-vjeçares për protothema.gr, duke shpjeguar se mbesa e saj ishte e sigurt se gjithçka do të shkonte mirë, njësoj si në dy lindjet e saj të mëparshme. Në të njëjtën kohë, ajo thotë se zgjedhja e 34-vjeçares për të mos pasur gjinekolog kishte të bënte me fobinë e saj nga mjekët.
Bashkëshorti i viktimës, tha se kishte qenë në punë në momentin e tragjedisë, ndërsa ka rrëfyer skenën e rëndë, ndërsa gruaja e kishte prerë vetë kordonin umbilikal.
"Nuk isha në shtëpi, erdha nga puna. Dy fëmijët erdhën drejt meje, e gjeta të vdekur. Nuk pashë asnjë gërshërë", tha i shokuar burri i gruas, duke folur për protothema.gr. Burri u përpoq me ndihmën e një fqinji që ti jepte 34-vjeçares ndihmën e parë mjekësore, por pa sukses. Në momentin e tragjedisë kanë qenë në banesë dhe fëmijët e tjerë të çiftit, 3 dhe 5 vjeç.
Fëmija 5-vjeçar, i cili ishte në shtëpi me vëllain e tij 3-vjeçar në kohën e tragjedisë, u ka thënë autoriteteve se nëna e tij kishte gjakderdhje dhe më pas lindi foshnja. Më pas, së bashku me nënën e tij, ata e çuan të porsalindurin në banjo për ta pastruar, ndërsa fëmija konfirmoi se babai ishte larg shtëpisë dhe erdhi në apartament më vonë.
Autoritetet po hetojnë rastin dhe mjeku ligjor do të japë më shumë përgjigje rreth asaj që ndodhi saktësisht në apartament. /ZËRI