
ITALI- Pas vendimit të Gjykatës së Romës, që shpalli të paligjshme marrëveshjen mes qeverisë italiane të drejtuar nga Giorgia Meloni dhe qeverisë shqiptare për ndalimin e emigrantëve në Shqipëri, kanë shpërthyer reagime të forta në Itali. Qeveria në pushtet dhe opozita janë përfshirë në një debat të ashpër rreth kostove financiare dhe legjitimitetit të këtij vendimi.
Nga kampi i qeverisë, partia "Vëllezërit e Italisë" ka reaguar me akuza ndaj gjyqtarëve, duke i cilësuar ata si të politizuar dhe duke pretenduar se ata po minojnë përpjekjet e ekzekutivit për të mbrojtur kufijtë e vendit. Zyrtarë të lartë, përfshirë Ministrin e Jashtëm Antonio Tajani dhe presidentin e Senatit Ignazio La Russa, kanë shprehur zhgënjimin e tyre, duke argumentuar se gjyqësori po pengon zbatimin e një modeli bashkëpunimi me Shqipërinë që synon frenimin e emigracionit të paligjshëm.
Nga ana tjetër, opozita italiane, me në krye sekretaren e Partisë Demokratike Elly Schlein dhe deputetë të tjerë nga Lëvizja 5 Yjet, kanë kritikuar ashpër marrëveshjen, duke e quajtur atë të paligjshme dhe një shpërdorim të madh të fondeve publike. Opozita kërkon që qeveria të marrë përgjegjësinë për dështimin e këtij plani, duke theksuar se qindra milionë euro janë shpenzuar për operacione që, sipas tyre, nuk kanë prodhuar asnjë rezultat konkret.
Debati mbetet i nxehtë, ndërsa në qendër të tij janë kostot e konsiderueshme të kampit për emigrantët në Shqipëri dhe përgjegjësia që qeveria duhet të mbajë për shpenzimet e dështuara./ ZËRI