ROMË- Roberto Mazzarella, i cili është drejtuesi i një grupi të mafias italiane Camorra-s është arrestuar sot. Sipas mediave italiane, ai u arrestua në një resort luksoz në Vietri sul Mare, në provincën e Salerno, ku çmimi i qëndrimit arrinte rreth 1,000 euro nata. Autoritetet vendase arritën ta lokalizojnë dhe ta ndalojnë pa hasur rezistencë.
Mazzarella, i lindur në vitin 1978, ishte pjesë e listës së personave më të rrezikshëm në arrati të publikuar nga Ministria e Brendshme italiane. Ai ishte në kërkim që prej 28 janarit 2025, pasi kishte shmangur arrestimin pas një urdhri paraburgimi të lëshuar nga Gjykata e Napolit, me kërkesë të Drejtoria Antimafia e Napolit. Akuzat ndaj tij përfshijnë vrasje të rënduar me metoda mafioze.
48-vjeçari u gjet në një vilë luksoze në zonën e Amalfit, ku dyshohet se ishte regjistruar me identitet të rremë për të kaluar festën e Pashkëve së bashku me familjen.
Gjatë kontrollit në ambientet ku qëndronte, autoritetet sekuestruan tre ora luksoze, rreth 20 mijë euro, dokumente të falsifikuara, telefona inteligjentë dhe materiale të shkruara me dorë, që dyshohet se lidhen me një sistem të brendshëm kontabiliteti kriminal dhe që tashmë janë pjesë e hetimeve. Operacioni u realizua nga Njësia Hetimore e Komandës Provinciale të Napolit, nën koordinimin e Drejtorisë së Antimafias të Napolit./ZËRI